Opozita mbyll protestën, tubime te Parlamenti dhe Drejtoria e Policisë

15:00 – Mbyllet protesta e gjashtë e opozitës me një fjalim të nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, nga selia e partisë. Pasi qëndruan për pjesën më të madhe të kohës par Parlamentit, ish-deputetët dhe një pjesë e protestuesve u spostuan te Drejtoria e Policisë, ku ishin shoqëruar disa protestues, për hedhjen e kapsollave në drejtim të policisë.

Këtë të enjte nuk pati përdorim të gazit lotsjellës, edhe pse nuk munguan momentet e tensionit ku protestuesit u përpoqën të çanin kordonin policor.

14:55 – Pasi qëndruan për më shumë se dy orë para Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku ishin shoqëruar disa protestues, përfaqësuesit e opozitës tashmë janë larguar dhe po shkojnë drejt selisë së Partisë Demokratike. Protesta e gjashtë e opozitës po shkon kështu drejt fundit, ku nuk u shënuan shumë momente tensioni dhe nuk u përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

13:30 – Protesta e opozitës është zhvendosur nga Parlamenti në Drejtorinë e Policisë, pasi mësohet se disa protestues janë ndaluar nga policia. Sipas burimeve të A2 CNN bëhet fjalë për tetë persona të shoqëruar, pasi janë evidentuar nga Policia për hedhjen e kapsollave në drejtim të kordonit me oficerë të vendosur para Parlamentit.

12:58 – Këmbëkryq para Parlamentit, Vasili: Ky është sheshi i popullit

Petrit Vasili, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, foli për A2 CNN teksa së bashku me kryetaren Kryemadhi dhe Gazment Bardhin nga PD, qëndronin të ulur para Parlamentit, atje ku opozita mban protestën e gjashtë të saj.

12:50 – Duket më e qetë situata në krahasim me disa minuta më parë, kur protestuesit u përpoqën që të çanin kordonin e Policisë. Një pjesë e tyre, bashkë me përfaqësues të opozitës, janë ulur këmbëkryq në sheshin para Parlamentit, ndërsa të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë.

12:35 – Bardhi: Thirrjet me megafon nxisin dhunën

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se policia vetëm sa provokon qytetarët me thirrjet me altoparlant. “Nëse Policia ka ndonjë shqetësim të më telefonojë. Thirrjet me megafon nga maja e godinës së Kuvendit janë thjesht thirrje për të nxitur qytetarët për akte dhune”, tha Bardhi. “Shumica e shqiptarëve nuk e duan krimin, të vetmit që e duan janë mbyllur brenda godinës”.

12:07 – Momenti kur protestuesit përpiqen të çajnë kordonin policor.

11:47 – Refuzoi djegien e mandatit, Murrizi: Kundër çdo qeverie që tallet me qytetarët

Myslim Murrizi, deputeti i dalë nga listat e PD, por tashmë i përjashtuar nga partia pasi refuzoi të djegë mandati foli në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend, nga ku i ka bërë thirrje forcave politike të mos tallen me shqiptarët. “Jam kundër çdo qeverie që tallet me qytetarët. Boll u tallëm me shqiptarët, si ata brenda në Parlament, ashtu edhe ato jashtë”, tha Murrizi.

11:03 – Kryemadhi: Populli nuk është ngritur as për hallet e Lulit, as për hallet e Monës

Monika Kryemadhi u shpreh nga protesta te Parlamenti se tashmë është populli që e drejton atë dhe jo opozita. Kryetarja e LSI tha se populli nuk është mbledhur në këtë protestë për hallet e Bashës apo të saja, por për problemet e tij.

10:55 – Protestuesit kërkojnë të çajnë kordonin e policor

Rritet edhe më shumë tensioni në protestën e opozitës. Një grup protestuesish u afruan dhe u konfrontuan me kordonin e parë të policisë, në përpjekje për ta çarë atë, ndërsa për ka sekonda palët janë përleshur.

Ata i kanë bërë thirrje protestuesve të tjerë që t’i bashkohen, por përleshja ka zgjatur pak sekonda.

10:53 – Kryemadhi distancohet nga sulmi me bojë ndaj Gjonit: Rama është regjisori

Nga protesta para Parlamentit, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur se është Edi Rama regjisori i sulmit me bojë ndaj deputetit të ri Ralf Gjoni ditën e sotme. “Regjisori Edi Rama, për të larguar vëmendjen nga çdo gjë e tij, pasi mori betimet e deputetëve të rinj do t’i kthejë dhe në kloun. Po të ishte për të sulmuar, do ta kishim bërë me kohë”.

10:40 – Noka: Rama nuk mbijeton dot me dhunë e tela me gjemba

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u shpreh për A2 CNN se opozita do të protestojë deri në largimin e Kryeministrit Edi Rama. Nuka thotë se Rama “është në panik dhe mendon se mund të mbijetojë me dhunë me tela me gjemba dhe polici, por e ka të pamundur”.

10:25 – Policia: Largoni personat me maska nga protesta

Vazhdon të jetë e tensionuar protesta para Parlamentit, me njerëzit që hedhin kapsolla në drejtim të Policisë. Ndërkohë, kjo e fundit i bën thirrje me altoparlant organizatorëve të protestës që të largojnë njerëzit me maska nga sheshi.

“Zoti Bardhi, në tubim ka persona që mbajnë maska. Si organizator i tubimit merrni masa për largimin e tyre”, është thirrja e bërë në drejtim të Gazment Bardhit, sekretar organizativ i Partisë Demokratike.

10:15 – Hidhen kapsolla në drejtim të forcave të policisë te Parlamenti

Protesta e sotme ka Parlamenti ka nisur menjëherë me hedhje kapsollash në drejtim të forcave të policisë, që janë të vendosura rreth godinës së Parlamentit.

10:05 – Reagon Ralf Gjoni: Sjellje rrugaçërie, s’më frikësojnë

“Nuk frikësohem për asnjë moment për atë destabilizim që ata kërkojnë. Nuk kam frikë nga askush. Duke dalë nga shtëpia, kisha edhe vajzën me mamanë, një djalë po priste te kafja dhe sapo më sheh më hedh bojë me anë të një shiringe. Ai dhe ajo që e kanë porositur këtë lloj sjellje rrugaçërie, duhet ta dinë që unë kam ardhur këtu dhe duhet të betohem. Nuk frikësohem për asnjë moment për këtë lloj destabilizimi që ata po përpiqen të mbjellin në vendin tonë. Unë jam këtu që të përfaqësojë të gjithë ata të rinj e të reja që kanë shpresë që ky vend mund të bëhet”.

09:20 – Sulm me bojë deputetit të ri Ralf Gjoni

Sapo doli nga shtëpia për të shkuar në Kuvend, ku do të bëjë betimin si deputet i ri, Ralf Gjoni është sulmuar me bojë.

Një person e ka pritur sapo Gjoni ka dalë nga banesa dhe i ka hedhur bojë me shiringë në trup dhe në fytyrë.

Gjoni është shprehur se ka djegie nga sytë, ndërsa një pjesë e bojës nuk hidhet nga lëkura. Ai thotë se sulmi ndaj tij ka qenë i porositur nga lart.

Reth 600 policë kanë rrethuar godinën e Parlamentit, ku pritet të ketë sërish një protestë, ndërsa në sallë do të zhvillohet seanca plenare.

Në protestë do të mungojë Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në një takim të partive Popullore Europiane.

Ndërkohë, mësohet se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, i kanë urdhëruar policët të shmangin provokimet.

Shkarkoni aplikacionin e A2