U sulmua me bojë, reagon Ralf Gjoni: Sjellje rrugaçërie, s’më frikësojnë

Para betimit ditën e sotme në Kuvend, deputeti i ri Ralf Gjoni është sulmuar me bojë sapo doli nga shtëpia.

Ai ka reaguar para se të futej në parlament, duke u shprehur se askush nuk e frikëson, ndërsa sulmin e vlerësoi si sjellje rrugaçërie.

“Nuk frikësohem për asnjë moment për atë destabilizim që ata kërkojnë. Nuk kam frikë nga askush. Duke dalë nga shtëpia, kisha edhe vajzën me mamanë, një djalë po priste te kafja dhe sapo më sheh më hedh bojë me anë të një shiringe. Ai dhe ajo që e kanë porositur këtë lloj sjellje rrugaçërie, duhet ta dinë që unë kam ardhur këtu dhe duhet të betohem. Nuk frikësohem për asnjë moment për këtë lloj destabilizimi që ata po përpiqen të mbjellin në vendin tonë. Unë jam këtu që të përfaqësojë të gjithë ata të rinj e të reja që kanë shpresë që ky vend mund të bëhet.

Nuk kam ardhur të marrë një rrogë të qelbur shteti, por të përfaqësojë të gjithë ata që janë lënë të papërfaqësuar nga gjithë ajo klasë e papërgjegjshme politike.

Unë jam një njeri i shkolluar jashtë, jam edhe shtetas i huaj. Nuk do të lejoj kurrë që emri im të keqpërdoret në emër të disa rrugeçërve”, tha Gjoni.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN