Greqia vendos kushte: Integrimi i Shqipërisë, çështja çame është pengesë

Greqia i dërgon mesazh të qartë Shqipërisë: Mbështesim perspektivën evropianë, por kemi disa kushte. Presidenti Prokopis Pavlopoulos, në prononcimin e tij për ditën e Festës Kombëtare të Greqisë, tha se parakusht për Tiranën në rrugën drejt anëtarësimit në BE mbetet respektimi i ligjeve Ndërkombëtare dhe Europiane, respektimi i sundimit të ligjit si dhe ai i të drejtave themelore humane.

“Sjellje të tilla si ato ndaj Pakicës Kombëtare Helene, të cilat nënvlerësojnë brutalisht vlerat e jetës njerëzore apo të drejtat themelore, si për shembull, e drejta për pronë, përbëjnë një pengesë të pakapërcyeshme për rrjedhën e qetë europiane të Shqipërisë. Pengesë për këtë është dhe çdo formë pretendimi për ‘të drejtat’ e supozuara, krejtësisht të pabazuara, të çamëve shqiptarë, bashkëpunëtorëve të paskrupullt nazistë siç është provuar historikisht”, deklaroi presidenti grek.

Ndër të tjera, Pavlopoulos shpreh qëndrimin e tij edhe për marrëdhëniet me Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Presidenti grek i kërkon Ankarasë që të respektojë ligjet ndërkombëtare për hapësirat detare dhe Shkupit që të zbatojë plotësisht marrëveshjen e Prespës.