Kontestimi ndaj deputetëve të rinj? Opozita i ka plotësuar listat vetë, mandati është i popullit

Sekretarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Ferhati nuk sheh një vend në krizë. Duket paradoksale, duke parë opozitën e votuar që ka më shumë se një muaj që bojkoton sallën e Parlamentit, me një vendim që ajo vetë e quan ”të paprecedent”.

Akti i opozitës për Ferhatin nuk është një tregues domethënës i shëndetit të politikës shqiptare, aq më pak i qeverisjes, por sinjalet e “krizës së vetë opozitës”, që po tenton të injektojë “helmin” e destabilitetit në vend.   

Si juriste, Ferhati respekton rregullat e lojës, dhe nuk i pëlqen kur disa duan ta ndryshojnë me vonesë.

“Kemi një Qeveri legjitime, që vjen nga zgjedhje të pakontestuara dhe të pranuara nga çdo institucion politikbërës në vend”, thotë Ferhati, e shqetësuar nga precedenti i djegies së mandateve, që “minon parimet demokratike”.

Rregullat e lojës bëjnë edhe që kandidatët e pranishëm në listat zgjedhore të respektohen në të njëjtën mënyrë. Për të, kontestimet për deputetët e rinj, që sot edhe presidenti i Republikës cilësoi si jo  legjitimë, janë pjesë e kësaj krize të mendimit.

“Lista është e partisë, por mandati është i popullit. Të gjithë e dinë si funksionojnë rregullat e politikës, po pati vakanca, kandidatët që vijojnë në listë marrin vendin”, dhe shton se “aktorët politikë që nuk pranojnë kandidatët sepse kanë bërë listat sa për të plotësuar numrin, në vetvete kanë cenuar besimin tek elektorati”.

Shkarkoni aplikacionin e A2