Përgatitjet drejt fundit, të shtunën socialistët në Kongres

1500 delegatë socialistë, 20 delegacione të huaja, ish-deputetë e ish-sekretarë të PS-së nga 1991 e deri sot do të jenë të ftuarit e Kongresit të PS-së këtë të shtunë.

Punimet e kongresit do të çelen nga Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla, për t’i lënë vend Erjon Braçes, Etilda Gjonajt dhe qytetarëve që kanë zgjidhur problemet e tyre përmes platformës ‘Për Shqipërinë që duam’.

Seanca e parë do të mbyllet me kandidatët për kryetar bashkie, që me ngjitjen e tyre në podium, do të marrin “ok” për 30 qershorin. Në listë është vendosur edhe Pjerin Ndreu për Lezhën dhe Gledian Llatja për Elbasanin.

Tirana do të bëjë përjashtimin e radhës, pasi do të jetë e vetmja që do të shpallë edhe kandidatët për këshillat bashkiakë. Kjo do të jetë edhe nisja e një fushate paraelektorale për Erjon Veliajn, që do të kërkojë një mandat të dytë.

Pas tij, fjalën pritet ta marrë kryesocialisti Edi Rama, për të përçuar edhe njëherë mesazhin se pavarësisht dorëzimit të mandateve dhe protestave të opozitës, socialistët janë të vendosur të shkojnë përpara me zgjedhjet lokale. Organizatorët e Kongresit kanë zbatuar edhe statutin, duke i dërguar ftesë ish-liderit socialist Fatos Nano, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse do të jetë i pranishëm.

Ndërkohë në sheshin “Nënë Tereza” janë duke u bërë përgatitjet e fundit. Rreth 2000 karrige do të rreshtohen në shesh për pjesëmarrësit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN