Platforma për dialogun, Rusia: SHBA nxiti ultimatumin e Kosovës ndaj Serbisë

Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pas platformës së Kosovës për fazën finale të dialogut me Serbinë. Akuza është lëshuar nga ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, i cili duke folur për televizionin “NTV” tha se synimi kryesor i kësaj platforme është të detyrojë Beogradin të pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Disa ditë më parë, Prishtina publikoi platformën e saj negociuese, e cila nuk është asgjë më pak se një ultimatum që kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës pa kushte. Serbët nuk munden dhe nuk kanë të drejtë të ndikojnë këtë vendim. Uashingtoni e përtypi këtë. Madje besoj se e inkurajoi Prishtinën të ndërmerrte këtë hap të pamatur”, tha Lavrov.

Ai kritikon vendet europiane dhe thotë se nuk kanë reaguar kundër platformës pasi nuk kanë asnjë ndikim në Kosovë. Lavrov vijon më tej duke akuzuar vendet perëndimore, se njohën pavarësinë e Kosovës vetëm që të justifikonin ndërhyrjen e NATO-s kundër ish-Jugosllavisë.

Ministri rus thotë se në atë kohë askush s’po sulmonte askënd, ndaj sipas tij, qëndrimi se Perëndimi ishte i detyruar të njihte Kosovën me arsyetimin që serbët po kërcënonin shqiptarët e Kosovës, është i pabazë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN