Ftesa e PS: Nisim negociatat me reformën zgjedhore

Shumica i shtrin dorën e bashkëpunimit opozitës për të nisur negociatat për zgjidhjen e krizës politike përmes dakordësisë për reformën zgjedhore. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS dhe bashkautori i Kodit Zgjedhor, Damian Gjiknuri, në një intervistë për A2 CNN, thotë se mazhoranca është e gatshme të finalizojë brenda majit reformën zgjedhore. Megjithatë, Gjiknuri nuk përjashton as diskutimet me deputetët e rinj të opozitës në Kuvend.

“Reforma zgjedhore mund të shërbejë si një platformë shumë e mirë negocimi me opozitën, për ta kaluar atë brenda periudhës së pranverës, deri në maj, që është edhe afati që kërkohet nga Shqipëria. Kjo reformë do të zbatohet për zgjedhjet e ardhshme, por është një mundësi që duhet shfrytëzuar. Qoftë me opozitën jashtë Parlamentit, qoftë me përfaqësues në parlament të partive të ndryshme opozitare”, tha Gjiknuri.

Garancia që jep socialisti është se shumica, pavarësisht numrave në Kuvend, nuk do të bëjë ndryshime kushtetuese për sistemin elektoral, pa opozitën. “Ne nuk bëjmë ndryshime të njëanshme, pavarësisht mund të kemi edhe votat në Parlament”, shtoi deputeti socialist.

Për herë të parë, në mikrofonin e A2 CNN, Gjiknuri i përgjigjet edhe akuzave të opozitës për dosjen 184, si i përfshirë në vjedhjen e votave në Bashkinë e Dibrës. “Janë akuza politike që hidhen rëndom në politikën shqiptare dhe që unë nuk i trembem. Janë thjesht spekulime mediatike që përdoren nga opozita për të justifikuar kauzën e saj”, thotë ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN