Zidane dhe 16,5 mln € e kanë bindur, por Chelsea nuk e lëshon Hazard

Zinedine Zidane duket se ka filluar të lëvizë shpejt për të formuar Real Madridin e të ardhmes, me sezonin e tanishëm drejt mbylljes me dështim nga të gjitha anët.

Për të zëvendësuar Cristiano Ronaldon duhet një emër i madh dhe francezi e ka gjetur. Bëhet fjalë për Eden Hazard, me të cilin Zizou është vënë në kontakt. Sipas të përditshmes spanjolle “Diaro OK”, madje palët kanë rënë paraprakisht dakord, pasi belgu ka shprehur se ka pasur gjithmonë dëshirë të veshë fanellën e bardhë. Përveç pasionit, mes palëve është rënë dakord edhe për një rrogë prej 16,5 milionë eurosh në vit për pesë sezone, çka do ta bënte numrin 10 të Chelsea-t lojtarin më të paguar në “Bernabeu”.

Pengesa e vetme tani është Chelsea. Klubi londinez nuk dëshiron të humbasë një prej lojtarëve më të rëndësishëm, edhe pse kontrata e tij përfundon në vitin 2020 dhe deri tani ai nuk ka pranuar të rinovojë. Fillimisht Real ka ofruar 80 milionë euro, ndërsa Chelsea kërkon 114 milionë.

Nga ana tjetër, sipas “L’Equipe”, Real ka edhe një plan B, Nabil Fekir nga Lyon. Francezi është një lojtar i talentuar, i cili edhe pse nuk ka famën dhe “sharmin” e Hazard, mund t’i shërbejë planeve të Zidane për rindërtimin e skuadrës.

Shkarkoni aplikacionin e A2