20 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Serbi; Haradinaj: Mirënjohës përjetë

24 marsi shënon një datë të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës. Të ndodhur në një konflikt të ashpër vrasjesh dhe dëbimesh nga territoret e tyre në fund të viteve ‘90, si sot 20 vjet më parë, NATO filloi sulmet ajrore kundër bazave ushtarake dhe objekteve të rëndësishme strategjike të Serbisë.

Kjo lëvizje erdhi në fund të një përpjekjeje të madhe ndërkombëtare për t’i zgjidhur gjërat me dialog. E fundit ishte në Rambuje të Francës, ku SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania organizuan në shkurt 1999 një konferencë ku u bënë thirrje kosovarëve dhe serbëve, që të nënshkruajnë një marrëveshje të përkohshme mbi autonominë e Kosovës. Pala e delegacionit kosovar e pranon marrëveshjen, ndërsa përfaqësuesit serbë e injorojnë atë. Negociatat dështojnë plotësisht.

Lufta bëhet gjithnjë e më brutale. Për të thyer rezistencën e UÇK-së dhe mbështetjen që gëzon ajo tek popullata, forcat serbe fillojnë një taktikë dëbimi ndaj civilëve: Mijëra kosovarë transportohen me trena dhe kamionë drejt kufirit, pa dokumente dhe letërnjoftime, në mënyrë që më vonë, të mos jenë në gjendje të vërtetojnë se janë nga Kosova. Qindra njerëz të tjerë fshihen nëpër pyje. E ndodhur ne këto kushte NATO sulmon bazat ushtarake dhe strategjike serbe, përfshi këtu edhe rrugët e furnizimit – linja hekurudhore dhe shumë ura.

Gjatë 11 javëve të goditjeve nga ajri, NATO kryen mbi 37 000 sulme. 20 000 bomba dhe raketa hidhen në territorin serb. Qindra civilë humbasin jetën, si në Serbi ashtu edhe Kosovë, të cilësuar nga aleanca si “dëm kolateral”.

Letra e Haradinaj

Në emër të popullit kosovar, kryeministri Ramush Haradinaj falënderoi Aleancën për shpëtimin e mijëra jetëve dhe ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Në një letër për Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, Haradinaj thekson se ishte veprimi i vendosur i NATO-s para 20 viteve që ndali gjenocidin mbi popullin e Kosovës.

“Kjo ndërhyrje u bazua mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Sot Kosova është shtet, i këtyre vlerave pa dallim dhe e vendosur në rrugën e integrimit euro-atlantik. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s”, shkruan Haradinaj.

Për të kujtuar këtë ditë, në Serbi dhe Kosovë do të mbahen ceremoni. Presidenti serb Aleksandar Vucic do të jetë në qytetin jugor të Nishit kurse homologu i tij kosovar, Ramush Haradinaj, ndodhet në Glodjanë.

Ku janë të dyja vendet sot?

Ende pas 20 vitesh, edhe me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, duket se tensionet mbeten të larta. Me një Serbi që nuk pranon të njohë pavarësinë e Kosovës dhe që nuk është e gatshme t’i nënshtrohet një dialogu të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët pa kushte. Nga ana tjetër, me një Kosovë të gatshme të bëjë përpara në rrugën e saj euroatlantike por me kërkesën e vetme, njohjen e pavarësisë nga Serbia.

Dy dekada pas ndërhyrjes se NATO-s mbi celulat serbe te instaluara ne Kosovë, si mjeti i fundit për t’i dhënë fund spastrimit etnik, qëllimi kryesor i regjimit të Slobodan Miloshevic, palët mbajnë ende pezull një sërë çështjesh.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i cili mori dritën jeshile të politikës së dy vendeve në vitin 2011 ten, me idenë për t’i dhëne paqe, stabilitet e mirëqenie popujve në të dyja vendet, nisi, u pezullua dhe rinisi në këto 20 vite, për t’u ndërprerë sërish në tetor të vitit 2018.

Serbia nuk pranoi përfshirjen e Kosovës në Europol dhe qeveria Haradinaj u kundërpërgjigj me vendosjen e taksës 100% të vlerës për mallrat serbe. Të ngurtë në qëndrimet e tyre, ekzekutivi i Kosovës me idenë se dialogu nuk duhet të kushtëzohet nga taksa dhe ekzekutivi i Serbisë me këmbënguljen se heqja e taksës është kusht themeltar për rinisjen e dialogut, gjithçka mbetet e ngrirë, me një proces që penalizon rrugën e integrimit të të dyja vendeve në BE.

Thirrja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për finalizimin e një marrëveshjeje historike mes Kosovës dhe Serbisë shihet me skepticizëm nga klasa politike e të dyja vendeve. Së fundmi Presidenti amerikan Trump u është drejtuar të dy vendeve për njohje reciproke dhe arritjen e një marrëveshjeje historike brenda këtij viti.