Bushi: Andorra nuk është kundërshtar i lehtë

Ashtu si kombëtarja “e madhe”, edhe ajo U-21 do të luajë me Andorrën pas një humbjeje kundër Turqisë.

Trajneri Alban Bushi, në një prononcim për A2 CNN para nisjes për në Principatë, vlerësoi paraqitjen e skuadrës kundër Turqisë, edhe pse në fund mungoi rezultati. “Nuk është se luajtëm keq, luajtëm mirë, patëm rastet tona”, tha Bushi. “Mendoj që Turqia nuk na rrezikoi shumë, por gjithsesi fitoi ai që luan më mirë. Dhe Turqia faktikisht ka potencial më të madh se ne, këtë duhet ta pranojmë. Ne jemi ekip që po rritemi, që furnizojmë shumë ekipin e parë”.

Për sa i përket takimit të radhës kundër Andorrës, trajneri nuk e pranon që fitorja është e siguruar pa nisur loja. “Nuk janë kundërshtar aspak i lehtë. Ata kanë marrë rezultate shumë të mira dhe janë mundur me shumë vështirësi nga ekipe të mëdha, si për shembull Holanda, apo kanë dalë barazim me Skocinë”, tha Bushi. “Kështu që është një ndeshje shumë e vështirë për ne. Duhet të mobilizohemi 100% sepse është jashtëzakonisht e vështirë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN