Disa lojtarë qanë për largimin e Panucci-t?! Reagon Hysaj

Ndoshta për pjesën më të madhe të tifozëve, largimi i italianit Panucci ishte i duhuri, madje ndoshta duhet të kishte ndodhur edhe më herët.

Por sigurisht, ai qëndroi gjatë në kombëtare dhe disa prej lojtarëve nuk e kanë pritur mirë një vendim të tillë. Madje duket se ka pasur edhe nga ata që kanë qarë dhe këtë e tha edhe Panucci, gjë të cilën deri diku e ka konfirmuar edhe kapiteni Hysaj në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Andorrës.

“Kështu e ka futbolli, me njerëz që ikin dhe të tjerë që vijnë. Ne nuk mund të rrimë pas gjërave, por duhet të shohim përpara, pasi kemi angazhime të rëndësishme. Sigurisht që ka pasur momente mërzitjeje, pasi kemi kaluar edhe momente të bukura me trajnerin Panucci”, u shpreh Hysaj.

Ndërkohë, kapiteni theksoi se Panucci e kishte gabim kur u shpreh pas ndeshjes me turqinë se “këta futbollistë janë” dhe nuk mund të bënte më shumë. “Nuk e di nga i buronte ky mosbesim, por çdo trajner ka mendimet e veta për lojtarët në dispozicion dhe bën punën e tij me ta. Unë besoj shumë te ky ekip dhe ndonëse ne këta jemi, kam mendimin që do të bëjmë diçka spektakolare. Panucci e ka tërësisht gabim mendimin e tij”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN