Ishte i pafajshëm, kaloi 36 vjet në burg për një “kapriço” të Prokurorit

Një burrë në Luiziana u lirua nga burgu këtë të premte pasi qëndroi për 36 vjet pas hekurave i dënuar për një përdhunim që nuk e kishte kryer.

Archie Williams, 58 vjeç, u dënua për përdhunimin e një gruaje dhe plagosjen me thikë të saj dhe fqinjës, në Baton Rouge në vitin 1982. Asokohe 22 vjeç, ai u identifikua nga vetë viktima pasi policia e rreshtoi me të tjerë të ndaluar. Por më parë, ajo kishte parë fotografinë e tij 2 herë të tjera. Në fakt, Williams në orën e krimit kishte qenë në shtëpinë e tij, u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë apelimi, por nuk u dorëzua kurrë dhe luftoi për të drejtën e tij.

Por pas dekadash përpjekje, të enjten ai u shpall i pafajshëm, pasi policia më në fund kontrolloi gjurmët e gishtërinjve të gjetura në vendngjarje, që përkonin në fakt me përdhunuesin serial Stephen Forbes. Për vite me radhë, prokurorët kishin refuzuar ta bënin këtë kërkim në listat e FBI-së, por më në fund morën urdhër për të kryer këtë veprim. Nëse do ta kishin bërë më herët, përveç se Williams nuk do të qëndronte padrejtësisht në burg, edhe Forbes do të ishte kapur në herët dhe nuk do të përdhunonte femra të tjera. Forbes do të arrestohet katër vjet më vonë, në përpjekje për të përdhunuar një tjetër grua, vetëm 3 kilometra larg vendit ku kreu përdhunimin për të cilin u dënua Williams.

Të enjten, prokurorët i kërkuan falje për thuajse katër dekadat që kaloi Williams pas hekurave. Nuk dihet ende nëse ai do të hedhë në gjyq shtetin për të marrë dëmshpërblim, por nëse do ta bëjë, është e sigurt që kompensimi do të jetë i madh.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN