Basha kritika Kryesisë: Lini kafenetë, zbrisni në terren

Pas vendimit për të thirrur në 13 prill protestën e tretë kombëtare, Lulzim Basha mblodhi kryesinë dhe ish-deputetët e PD.

Pas protestës së fundit te Parlamenti, e zhvilluar në mungesë të tij, mbledhja e së hënës erdhi larg toneve të qeta.

Basha ka shprehur rezerva për angazhimin e të zgjedhurve demokratë. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka qenë mjaft kritik ndaj kryesisë dhe ish-deputetëve të PD duke i kërkuar llogari se pse janë kaq pak prezent në terren. Lulzim Basha ka deklaruar se do preferonte që ata të linin kafenetë dhe të angazhoheshin në takime të drejtpërdrejta me qytetarët, me qëllim pjesëmarrjen sa më të lartë në protestat e opozitës së bashkuar.

Jo vetëm në ballë të protestave, por edhe në takime të vazhdueshme me strukturat në rrethe, ishte porosia e kreut demokrat. Të shtunën e 13 prillit protesta do të jetë në 18:00 pasdite. Krerët e degëve mendojnë se kështu ruhet kompaktësia e protestës, e cila në mesditë do të cenohej nga temperaturat e larta.

Në selinë blu u rikonfirmua axhenda e protestave para Kuvendit sa herë ka seancë. Ndërkohë në krahun tjetër është kryeministri Edi Rama, i cili përgëzoi deputetët socialistë për sjelljen në seancën e javës së shkuar, ndërsa opozita protestonte.

Falenderime edhe për organizimin e Kongresit elektoral të së shtunës, ku u ndezën motorët e fushtës. Por porosia ndaj të vetëve për me shumë prani në terren erdhi edhe nga Edi Rama, sikundër edhe për më shumë kujdes e cilësi për emërimet në administratë dhe drejtorët në rrethe.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN