Kombëtare me dëshirë e ritëm, Shqipëria mposht Andorrën 0-3

Pas disa dështimesh radhazi, Kombëtarja shqiptare është rikthyer te fitorja dhe këtë e bëri pa Panuccin në stol, por me ish-ndihmësin e tij, Ervin Bulku. Kuqezinjtë triumfuan 0-3 në transfertën e Andorrës. Sadiku në pjesën e parë, Balaj dhe Abrashi në të dytën rikthyen Shqipërinë te triumfi.

Kombëtarja e nisi këtë transfertë me një tjetër ritëm krahasuar me takimet e fundit. Që në minutën e parë Uzuni ishte i pafat kur goditi traversën. Vetëm një minutë më pas, ndaj Armando Sadikut pati një ndërhyrje të gabuar brenda zonës, por arbitri hezitoi të akordonte një 11-metërsh të pastër.

Ndërkohë, goli u shënua në minutën e 21 nga Sadiku, i cili realizoi pas një gafe fatale të portierit vendas.

Në pjesën e dytë, Andorra kërkoi të reagonte duke provuar disa herë të kërcënonte portën e Berishës, por u treguan të paqartë në ndërtimin e aksioneve.

Në anën tjetër, edhe pse në avantazhin e një goli, trajneri Bulku nuk ngurroi të hidhte në fushën e lojës edhe Bekim Balën në krah të Sadikut. E shkodrani ishte ai që realizoi edhe golin e dytë. Në sekondat e fundit kishte vend edhe për një gol të Abrashit.

Këto janë 3 pikët e para për Shqipërinë pas dy ndeshjeve në eliminatoret e Euro 2020, duke u ngjitur tashmë në renditje në vendin e tretë, me pikë të barabarta me Islandën, e cila u mund mbrëmjen e sotme 4-0 nga Franca.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN