Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Përfundon hetimi, Trump nuk komplotoi me Rusinë për zgjedhjet

Nga A2 CNN
25 Mars 2019, 09:44 | Bota
Përfundon hetimi, Trump nuk komplotoi me Rusinë për zgjedhjet

Ekipi i fushatës së Donald Trump nuk ka komplotuar me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016-të. Në këtë përfundim, arrin raporti I prokurorit të posaçëm Robert Mueller, pas një hetimi gati dy vjeçar lidhur me çështjen.

Megjithatë përmbledhja që u paraqit të dielën nga kreu i departamentit të drejtësisë William Barr, nuk i jep përgjigje pyetjes nëse presidenti Trump u përpoq të pengonte drejtësinë duke ndërhyrë apo duke u përpjekur të cenojë hetimin e prokurorit Mueller.

 "Hetimi i Prokurorit të Posaçëm nuk arrin në përfundimin se fushata Trump apo dikush i lidhur me të ka bashkëpunuar me qeverinë ruse në aktivitetet për ndërhyrjen në zgjedhje", deklaroi Barr.

Raporti nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer ndonjë krim, por as nuk e përjashton këtë.

"Për të arritur në ngritjen e akuzave për pengim të drejtësisë dhe për t’i mbështetur këto akuza qeveria do të duhej të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm se një person që vepron me synime të korruptuara, angazhohet në sjellje penguese"

William Barr

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili e ka cilësuar vazhdimisht hetimin një gjueti shtrigash, tha se ishte e turpshme që vendi kishte përjetuar një situatë te tillë.

”Të jem i sinqertë, mendoj se është e turpshme që presidenti juaj përjetoi diçka të tillë, madje edhe para se të zgjidhej. Kjo ishte një iniciativë e paligjshme e cila dështoi, por tani të gjithë e kanë panoramën e qartë. Nuk kishte bashkëpunim, nuk kishte pengim të drejtësisë“, deklaroi presidenti amerikan.

Raporti kulmoi hetimin 2 vjeçar të Mueller, si pjesë e të cilit u gjykuan dhe u burgosën disa prej aleatëve më të ngushtë të presidentit Trump. Megjithatë dënimet nuk u dhanë për akuza të lidhur me Rusinë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë