Statistikat e krimit, 4 ekzekutime javën e shkuar

Në një kohë që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj komenton në Twitter mbi protestat e opozitës vendi u trondit nga disa atentate të cilat mbeten ende të pazbardhura nga policia. Vetëm në javën që lamë pas, 4 persona u vranë ndërsa vetëm në një rast policia arriti të zbardhë ngjarjen, por jo të prangosë autorin pasi ai u vetëdorëzua.

Fundjavën e 16 marsit Haxhi Baçinozi ishte nisur drejt shtëpisë në Sauk bashkë me djalin e tij kur u qëllua për vdekje. Ngjarja e rëndë ndodhi tek kodrat e liqenit kur Islam Mylkaj e qëlloi me pistoletë. Vrasësi u vetëdorëzua disa ditë më pas në polici ndërsa konflikti kishte si motiv një borxh që Bacinozi i kishte dhënë Mylkajt dhe ky i fundit nuk ia kishte kthyer.

Dy ditë më pas po një tjetër krim i rëndë do të ndodhte në Tiranë. 26-vjeçari Jurgen Kurti sapo kishte dalë nga palestra në rrugën “Zef Jubani” dhe po i drejtohej banesës e cila ndodhej pak metra më tutje. 2 persona e qëlluan nga pas në hyrje të pallatit ku banonte ndërsa për ngjarjen, Policia nuk ka ende asnjë të dyshuar apo motiv të krimit. Vrasësit kishin studiuar zonën dhe krimi nuk është kapur nga asnjë kamera sigurie.

Në fshatin Grudë të Shkodrës një tjetër krim i mori jetën biznesmenit Ferdinand Polia. 35-vjeçari ishte pronar i një bujtine në zonën turistike të Thethit. Sipas policisë në momentin e krimit Polia udhëtonte me mjetin e tij tip fuoristradë, ku u qëllua me breshëri automatiku. Hetuesit dyshojnë se vrasësi lëvizte me motor, ndërsa për të siguruar për vdekjen e 35-vjeçarit e kishte qëlluar disa herë dhe në krahun e shoferit.

Të premten e 22 marsit në mes të qytetit të Elbasanit u ekzekutua avokati Ravik Gurra. 50-vjecari ishte ulur në një nga kafenetë pranë kalasë kur u qëllua me pistoletë me silenaciator. Sipas familjarëve, avokati nuk ruhej madje nuk kishte pasur kërcënime. Ndonëse ekzekutimi ndodhi në një zonë mjaft të frekuentuar, policia nuk arriti të binte në gjurmët e atentatorëve veç makinës së tyre të djegur e cila rezultoi e vjedhur në Fushë Krujë. Avokati kishte përfaqësuar në disa gjyqe Emiliano Shullazin dhe pjesëtarë të familjes Çapja të Elbasanit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN