Vrasja e avokatit, kolegët bojkotojnë gjyqet në Elbasan

Dhoma e avokatëve të Elbasanit ka bojkotuar punën për një javë, në shenjë proteste për vrasjen e kolegut të tyre Ravik Gurra, mbrëmjen e së premtes në qendër të qytetit të Elbasanit.

Kjo protestë vjen për të kundërshtuar mosreagimin si duhet të organeve kompetente për këtë ngjarje të rëndë. Në lidhje me këtë vrasje, nuk ka reaguar ende as dhoma kombëtare e avokatisë.

“Vendosëm të bojkotojmë çdo gjyq me afat pesë ditor, deri sa të reagojnë organet kompetente, si Gjykata, Prokuroria, Policia dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Kemi lënë një mbledhje të dytë, për të parë ecurinë”, tha avokati Demir Çiftja.

Tri ditë pas ekzekutimit mafioz të avokatit Ravik Gurra, ende nuk ka asnjë piste zyrtare mbi autorin apo motivet e këtij krimi. Burime pranë Prokurorisë së Elbasanit që po heton çështjen, janë shprehur se kamerat e sigurisë të lokalit ku u vra avokati, nuk kanë kapur pamje të autorit të vrasjes, ndërsa dëshmitarët okularë kanë bërë përshkrimin fizik të tij, por deri më tani nuk ka asnjë dyshim konkret.

Ndërkohë, kjo çështje në varësi të të dhënave që do të mblidhen nga grupi i heitmit mund t’i kalojë për kompetencë edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nëse vërtetohet që avokati Gurra është vrarë për shkak të detyrës që kryente. Kujtojmë qe i ndieri ka qene avokat i familjes Çapja në Elbasan, familje kjo e njohur për konfliktet e përgjakshme ndër vite.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN