Vrasja në Shkodër, 3 të arrestuar, shpallet në kërkim autori

Tre persona janë arrestuar si të përfshirë në vrasjen e Nard Polisë në Shkodër më 20 mars. Sipas Policisë, shtetasit G.T, 26 vjeç, K.T., 29 vjeç dhe A.M., 20 vjeç, dyshohen se drejtpërdrejt me veprimet e kryera kanë mbështetur me logjistikë dhe armatim, ndjekur, strehuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje. Ndërsa autori i vrasjes, shtetasi K.S., 27 vjeç, është shpallur në kërkim.

Policia gjithashtu ka sekuestruar automjetin e përdorur nga autorët për ndjekjen e viktimës, orientimin e ekzekutorit, kryerjen e vrasjes, djegien e motorit dhe largimin bashkë me ekzekutorin. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 7 telefona, 17 fishekë të kalibrave të ndryshëm, targa të ndryshme automjetesh shqiptare dhe të huaja dhe dokumente të ndryshme.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe mbi motivin e kësaj ngjarje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Mbi të arrestuarit rëndon akuza për “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN