Gara për drejtimin e Tiranës, Veliaj shpalos projektet e rëndësishme

Ethet e fushatës për drejtuesit vendorë ende nuk ndihen në Tiranë. Ndoshta për faktin se opozita nuk e ka shprehur qëndrimin për zgjedhjet e 30 qershorit dhe as kandidaturat. Por Erion Veliaj, kandidati zyrtar i Partisë Socialiste për mandatin e dytë dhe i vetmi deri tani në garë, tregon me stilin e tij se ka përveshur mëngët.

Në një nga aktivitetet e përditshme të bashkisë, por ndër të paktat e hapura për median, Veliaj deklaroi se synon një kryeqytet edhe më miqësor. Ndërsa do t’i kushtohet rëndësi uljes së ndotjes përmes programeve të ndryshme.

Takimet dhe dëgjesat me banorët do të jenë elementet kryesore të fushatës së Erion Veliajt. Detajet ende nuk bëhen publike, por projektet që do të prezantohen për ti vënë në zbatim mandatin e dytë kryesisht do të jenë ndërtimi i 17 shkollave të reja, rikonstruksioni i piramidës, kopshtit zoologjik, ndërtimi i bashkisë së re në bulevardin e ri dhe përfundimi i dy terminaleve të autobusëve.

Veliaj është shprehur se më shumë investime do t’u japë zonave periferike dhe atyre rurale. Por pak ditë më parë për A2 CNN, ai deklaroi se fushata për të ka nisur që ditën e parë të marrjes se detyrës dhe tashmë pret vetëm rivalët e garës. Dhe ora e Veliajt tregon se koha për betejën e drejtimit të Tiranës ka filluar…

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN