Kongresi i PS, Sulo: Armiqësi me opozitën. Ekonomi: Mesazhi, bashkëqeverisja

Të shtunën e datës 23 mars, Partia Socialiste vuri në jetë një spektakël force në sheshin “Nënë Tereza”. Një spektakël ku nuk munguan mesazhet, diskutimet, autoritarizmi, por edhe sulmet ndaj gazetarëve.

Edhe pse më herët u tha se në kongres do të shpalleshin kandidatët për bashkitë e vendit, vetëm disa prej tyre u zyrtarizuan.

Për të diskutuar kongresin e fundit të socialistëve ishin të ftuar në A2 Debat Milva Ekonomi, deputete e Partisë Socialiste dhe Arjon Sulon nga gazeta “Liberale”, gazetar e analist.

Për Arjon Sulon, ata numri nuk ishin të nevojshëm në Kongres dhe sipas tij kjo ishte e gjitha kundër opozitës, por jo në momentin e duhur. Ai u shpreh se kongresi ishte në armiqësi me opozitën dhe nuk kishte asnjë tezë.

“Ishte diçka e planifikuar muaj më parë, por organizimi që bëri qeveria, ku janë paralajmëruar, gati në kërcënime punonjësit e administratës të bashkive të vendit, administratës qendrore për të marrë pjesë në shesh. Vende të ulura ishin 10 mijë dhe rreth 20 mijë të tjerë ishin nga rrethet. Delegatët janë shumë më pak. Këta kanë qenë të lajmëruar me mesazhe, në qoftë se nuk sillni X persona me vete, duhet të sillni kaq, nuk duket të ngriheni nga karriget. Këto janë dëshmi të vetë të punësuarve në administratë. Ajo përkoi me krizën dhe në vend që krizës t’i përgjigjeshim me një dialog, siç bëhet propaganda, kongresi dhe “Bashkia që Duam” ishin të tëra kundër opozitës. Përveç kryeministrit, të gjithë oratorët e tjerë ishin në servilizëm me Ramën dhe në armiqësi me opozitën. Kongresi nuk kishte asnjë tezë”, tha Sulo.

Milva Ekonomi reagoi duke thënë se në kongres kishte njerëz të ardhur vullnetarisht dhe bashkë me familjen e tyre. Ekonomi tha se mesazhi i kongresit ishte bashkëqeverisja.

“Kongresi ishte një ngjarje e paralajmëruar. Axhenda ishte e diskutuar me strukturat e partisë dhe e miratuar prej tyre. Nuk besoj se është një demonstrim force. Aty kishim individë që kishin ardhur aty me dëshirën e tyre, madje edhe vullnetarisht. Demonstrimi i forcës është diçka që vjen natyrshëm pasi numrat e PS janë të mëdha. Nuk mund të jenë të detyruar ato dhjetëra mijëra njerëz. Duhet ta dini se organizimi dixhital i partive është një organizim kapital. Në çdo lagje, godinë, ti e di kush është anëtari i partisë tënde. Kjo është një gjë që tregoi edhe forcën e organizimit të PS. Unë mendoj se mesazhi i kongresit ishte bashkëqeverisja”, reagoi Milva Ekonomi.