McGregor tërhiqet nga MMA, fansat nuk e besojnë

Ai është sportisti i parë në UFC që ka fituar dy tituj në dy kategori të ndryshme peshash dhe tepër i adhuruar në të gjithë botën. Por në orët e para të mëngjesit, Conor McGregor njoftoi përmes rrjeteve sociale se tërhiqet nga Artet Marciale Mikse.

Ndeshja e tij e fundit në UFC ishte humbja kundër Khabib Nurmagomedov në tetor 2018, përballje që përfundoi me një sherr masiv mes pjesëtarëve të të dy ekipeve dhe që solli pezullimin e dy sportistëve.

Që prej debutimit në këtë sport në vitin 2007, ish-hidrauliku u dallua si një ndër protagonistët më të pëlqyer nga publiku. Ai fitoi titullin për peshat pupël duke mundur në vetëm 13 sekonda Jose Aldo, ndërsa humbi në debutimin e peshave të lehta kundër Nate Diaz për të rifituar titullin pesë muaj më vonë kur triumfoi ndaj Diaz. Më pas, mundi Eddie Alvarez në peshat e lehta duke u bërë i pari kampion në dy kategori në këtë disiplinë.

Në kulmin e karrierës ai la artet marciale mikse për të zhvilluar një ndeshje boksi kundër Floyd Mayweather, të cilën e humbi në raundin e dhjetë me KO teknik. Por me miliona shikues me pagesë në të gjithë botën, ndeshja i siguroi irlandezit 30 milionë dollarë të ardhura.

Ndeshja e fundit, humbja ndaj Khabib Nurmagomedov

Pas rikthimit problematik në UFC, McGregor largohet nga sporti me 21 fitore dhe 4 humbje. Kjo nuk është hera e parë që McGregor njofton tërheqjen, pasi e bëri këtë edhe në vitin 2016, prandaj tifozët e tij të jenë mosbesues dhe të shpresojnë në një tjetër rikthim.

Edhe Presidenti i UFC, Dana White, tha për mediat amerikane: “I ka paratë për t’u tërhequr tani. Edhe unë po të isha në vend të tij do të bëja të njëjtën gjë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2