PE mbështet propozimin: Nga viti 2021 ndryshimi i orës me zgjedhje

Parlamenti Europian mbështeti propozimin për t’i dhënë fund ndryshimit të detyrueshëm të orës. Sipas propozimit, secili shtet anëtar nga viti 2021 do të mund të zgjedhë nëse do të ruajë sistemin aktual, apo do të heqë dorë nga praktika e lëvizjes së akrepave dy herë në vit.

Komisioni Europian e bëri propozimin muajin e kaluar, pas një konsultimi publik që tregoi se 84 përqind e anketuesve ishin kundër praktikës. 4.6 milion shtetas eurpianë morën pjesë në konsultim, 70 përqind prej të cilëve gjermanë. Kundërshtitë për ndryshimin e orës janë më të theksuara në vendet veriore, ku ndryshmet sezonale në orët me diell janë më të mëdha se në jug.

“Studime të ndryshme sugjerojnë se nga pikëpamja e shëndetit, mirëqenies së kafshëve apo energjisë ndryshimi i orës po rezulton i pavlerë. Prandaj u lumturova shumë kur presidenti i Komsionit Europian sugjeroi se kjo praktikë do të merrte fund”, tha Sean Kelly, europarlamentar irlandez.

Por europarlamentarët dhe komisioni theksojnë se shtetet duhet të koordinojnë zgjedhjet e tyre në mënyrë që të minimizohet risku i problemeve në ekonomi për shkak të sistemeve të ndryshme kohore.

Kursimi i orëve me diell ka qenë i detyrueshëm në BE që prej vitit 2001 dhe synonte lehtësimin e funksionimit të tregut të brendshëm europian dhe reduktimin e kostove të energjisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN