Shkarkimi i zëvendësministres serbe, Beogradi reagon ndaj Haradinajt

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se shkarkimi i Vesna Mikiç nga posti i zëvendësministres së Drejtësisë në Kosovë “është edhe një tjetër provë se Ramush Haradinajt i duhen serbë të dëgjueshëm dhe të bindur”.

Haradinaj, njoftoi të hënën se kishte shkarkuar zv/ministren nga radhët e Listës Serbe, pasi kjo e fundit deklaroi se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb. Në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë thuhet se duke e quajtur agresionin si gjenocid dhe separatistët shqiptarë terroristë, Mikiç ka shprehur mendimin që mbizotëron mes popullit serb.

“Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij mund t’iu ngrenë dhjetëra monumente agresorëve dhe terroristëve, por populli serb nuk do të detyrohet t’i respektojë ata që i kanë bërë keq”, thuhet në deklaratën e cituar nga “Evropa e Lirë”.