Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Shtyhet për herë të dytë pretenca për Balilin

Nga A2 CNN
26 Mars 2019, 10:30 | Kronikë
Shtyhet për herë të dytë pretenca për Balilin

Gjykata e Krimeve të Rënda shtyn për në 2 prill dhënien e pretencës për Kelmend Balilin. Shkak për këtë është bërë mungesa e avokatit Theodhori Sollaku.

Në seancë nuk ishte i pranishëm as vetë i pandehuri Balili, i cili përmes një deklarate pretendonte probleme shëndetësore dhe kërkonte shtyerjen e seancës.

Kjo është hera e dytë që Prokuroria nuk jep pretencën, një gjë e tillë ndodhi edhe më 12 mars, ku prokurori i çështjes, Ened Nakuçi, nuk dha konkluzionet e akuzës, pasi avokati i tij kërkoi kohë duke paraqitur edhe atë ditë një raport mjeko-ligjor.

Mbi të ashtuquajturin “Eskobar” të Ballkanit ndaj të cilit po zhvillohet gjykim i shkurtuar, rëndojnë 4 akuza: Trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal; Refuzim për deklarim dhe mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë; Pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale. Balili nuk i ka pranuar akuzat, ndërsa pas rreth dy vjetësh në kërkim, ai u vetëdorëzua në momentin kur dosja shkoi për gjykim.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se nga informacioni i policisë, rezultonte se nga fundi i muajit maj 2015 shërbimet ligjzbatuese greke dhe DEA në Athinë kanë qenë duke hetuar në lidhje me një organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike e përbërë nga shtetas grekë, shqiptarë dhe nga vendet e Evropës Qendrore.

Balili u vetëdorëzua në polici më 17 janar, pas shpalljes në kërkim në maj të vitit 2016. Gjatë kësaj kohe, policia dështoi të paktën 14 herë për arrestimin e tij.

A2 CNN Livestream

Dita jonë