Tahiri shkon në gjykim, ish-ministri: S’kam pikën e lidhjes me këtë çështje

Saimir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm, i akuzuar për trafik droge dhe korrupsion, ka marrë zyrtarisht statusin e të pandehurit. Pasditen e së martës, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi të kalojë në gjyq dosjen në ngarkim të tij dhe tre ish-zyrtarëve të lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela,Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Miliana Muça, në përfundim të një seance që zgjati gati 9 orë. Në të njëjtën seancë, Tahiri dhe i bashkëakuzuari i tij, Jaled Çela kërkuan gjykim të shkurtuar.

Në dalje nga seanca, ish-ministri i Brendshëm përsëriti edhe njëherë se nuk ka lidhje me çështjen, ndërsa thotë se ka kërkuar që çështja të mos zvarritet.

“Seanca zgjati kaq shumë pasi të gjithë kishin gjëra për të thënë lidhur me atë që parashtruan prokurorët. Tani shkojmë në gjykim dhe ky është një shans për mua për të treguar atë që kam thënë gjithmonë. Nuk dua të merrem me llojin e seancës, me llojin e akuzës. Në respekt të një sistemi që kam kontribuuar dhe unë nuk dua të komentoj këtë vendim. Unë kërkova që gjykimi të mos jetë një histori zvarritje e pafund. Unë kam shumë më shumë për të pretenduar se Prokuroria. Duhet të saktësoni që unë do të vazhdojë të argumentoj atë që kam pretenduar që nga fillimi që nuk kam pikën e lidhjes me këtë çështje”, tha Tahiri.

Më tej, Tahiri theksoi se ai është sërish “ministri kampion”. “I kërkova prokurorisë të më bëjë akuzë të qartë dhe të saktë, prokuroria ka detyrimin të më tregonte në seancë cilin veprim kam bërë unë që kam shkelur ligjin. Prokuroria nuk u përgjigj pas disa herëve që u interesova unë dhe gjykata. Nga sot e tutje që mbaron hetimi keni folur vetëm ju, unë nuk kam folur për mënyrën si janë zhvilluar ngjarjet, sot e tutje do të flas edhe unë në gjykatë dhe për publikun, nuk mund të jetë më një proces i mbyllur, ku provat trafikohen. Nuk bëj politikë deri në momentin kur kjo çështje që më hapi politika të mbyllet. Çdo kusur që po përjetoj deri tani do ja dal deri në fund, nuk është dhe aq e kollajtë që të jem unë kurbani, nuk më shqetëson shumë kjo. Unë jam prapë ministri kampion të jeni të bindur, atë që kam bërë për policinë nuk i kthehem kurrë mbrapa”, u shpreh ish-ministri para gazetarëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN