Nga parlamenti në auditor, Duka dhe Rrokaj i rikthehen jetës akademike

Kanë mbajtur postet më të rëndësishme në drejtimin e Universitetit, para se të merrnin mandatin e deputetit nën siglat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe tashmë, Valentina Duka dhe Shezai Rrokaj i janë kthyer përfundimisht dhe me kohë të plotë auditorëve duke i kthyer shpinën një parlamenti parlamentit konfliktesh.

“Të them të vërtetën, ashtu si u katandis ky Parlament, më mirë në auditorë, unë isha pedagog i jashtëm më parë, tani ndihem plotësisht në lëkurën time”, thotë Shezai Rrokaj. “Më mirë mirë në auditorë, mendoj se jam kthyer përfundimisht këtu për të mos e lënë më kurrë. Veten time e mendoj më frytdhënëse në ambientin akademik”, thotë zonja Duka.

Të dy thonë për A2 CNN se hynë në parlament për ideal, por si u larguan prej tij?

“I zhgënjyer, patjetër, sepse nuk pata mundësinë që në të gjitha rastet nuk patëm mundësi të shpalosnim në mënyrë profesionale të gjithë ato mendime që ne kemi. Parlamenti është kthyer në një tautologji grindjesh, sherresh, linçimesh, deformimesh”, shprehet Rrokaj.

“Tre muajt e parë të Parlamentit kujtoj që kam dëgjuar atje fjalime shumë interesante, por pas janarit të vitit 2018 vajtja në Parlament u bë shumë e bezdisur”, kujton Duka.

Pas dorëzimit të mandatit në 21 shkurt, Rrokaj dhe Duka iu rikthyen pedagogjisë, sipas kontratës që kishin me Universitetin e Tiranës. Por a do t’i pranojnë ata privilegjet që i lë pas detyra e ligjvënësit?

“Si dekane, kisha një diferencë shumë të vogël, 20 apo 30 mijë lek të vjetra në krahasim me rrogën që merrja si deputete. Di që do të marr shumë pak, një shtesë mbi rrogën time, por jo gjysmën e pagës dhe nuk e di ç’do të fitoj për pensionin, që në raport edhe me atë që do të fitoj si profesore, nuk është ndonjë ndryshim i madh”, thotë Duka.

“Çdo gjë që më takon, natyrisht nuk e kuptoj pse nuk duhet ta marr, jemi brenda një ligji dhe çdo gjë që është ligjore është e pranueshme për mua”, shprehet Rrokaj.

Gjatë periudhës së bojkotit , ish deputetët e opozitës u paguan me gjysmë page. Fakt ky që bërë që disa prej tyre të padisin kuvendin e Shqipërisë. Pas dorëheqjes së deputetëve të opozitës, deri më tani numri i atyre poshtë listave që kanë pranuar mandatin, ka shkuar në 19.

Shkarkoni aplikacionin e A2