Piramida e Luvrit, projekt artistik për 30 vjetorin e ndërtimit

Oborri rreth Muzeut  të Luvrit do të zhduket këtë javë si pjesë e festimeve për 30 vjetorin e piramidës ikonë të Parisit. Projekti artistik i lançuar të martën është ideuar nga artisti JR dhe do të jetë i ngjashëm më atë të 3 viteve më parë kur muzeu u fsheh pas një fotoje gjigande bardhë e zi.

Një batalion prej 400 vullnetarësh filluan të ngjisnin një imazh prej 140 mijë metrash katror në oborrin e muzeut  dhe shatërvanin e zbrazur.

Imazhi do të krijojë iluzionin e një piramide më të madhe që shfaqet nga gurët, sikur të ishte zbuluar nga një gërmim arkeologjik.

 “Ne do të krijojmë një imazh, i cili këtë herë në vend ta zhdukë piramidën do ta shfaqë atë. Si mund ta bësh një piramidë ekzistuese të duket sikur është duke u shfaqur? Kjo është pyetja”, thotë artisti.  

Iluzioni i ri optik do të mund të shijohet mbrëmjen e së premtes në datën e saktë të përvjetorit. Ndërsa i plotë ai do të mund të shihet nga tarraca e muzeut, ekipi JR ka instaluar dy ekrane gjigande që lejon vizitorët të shohin rezultatet nga toka.

E përuruar në mars të 1989-tës dhe e dizajnuar nga arkitekti 101 vjeçar kinezo-amerikan Leoh Ming Pei, piramida përfaqëson projektin më popullor të ndërtuar në kohën e presidencës së François Miterrand në vitet 80-të ë 90-të, duke ndryshuar në mënyra dramatike imazhin e kryeqytetit francez.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN