Pse është kaq i zgjeruar krimi te të rinjtë?

Ditët e fundit, opinioni publik u trondit nga një sërë ekzekutimesh. Ngjarje të tilla nuk janë të rralla në realitetin tonë të përditshëm.

Vrasjet janë kryesisht krime pasioni, për hakmarrje, për motive banale etj. Ajo që ka rënë në sy edhe nga ekspertët është mosha shumë e re e atyre që ekzekutojnë. Të miturit janë shndërruar në një problem të vërtetë për organet ligjzbatuese. Por edhe me shqetësuese është situata kur bëhet fjalë për modelet, të cilat ndjekin apo apasionohen të miturit dhe tendenca për të qenë të fortë apo për t’u shfaqur si të tillë, teksa i gjejmë të fotografohen, me armë e me makina të shtrenjta duke i shpërndarë këto në rrjetet sociale.

Pikërisht për të folur për krimet e kryera nga të miturit dhe moshat e reja, për tendencën në rritje për sa i përket krimeve kundër jetës të kryera me dashje nga këta të fundit, ishin të ftuar në “A2 Debat” Ilia Kondi avokat, i cili është marrë me çështjet e të miturve të përfshirë në krim dhe Gëzim Tushi, sociolog.

“Vihet re një rritje e personave të mitur të cilët kryejnë krime, kjo është shumë shqetësuese. Përgjithësisht, vjedhja zë vendin e parë nga të miturit, për shkaqet social kulturore dhe ekonomike, por edhe migrimi që bëjnë familjet e tyre, vijnë nga familje të varfra. Shitja dhe trafikimi i lëndëve narkotike zë vendin e dytë, ndërsa më pas vijnë plagosjet e vrasjet”, tha avokati Ilia Kondi.

Ndërkohë, psikologu Tushi u shpreh se “është një grup social me të cilin duhet të merremi seriozisht. Por këto janë dukuri globale dhe nuk janë vetëm te ne”.

“Janë dy gjëra, perëndimorët përdorin një term, një lloj “demokratizimi” të krimit, një zgjerim, një përhapja. E dyta, prirja për t’u ulur mosha e atyre që kanë aktivitet kriminal. Në shoqëri edhe perëndimore 90 përqind të krimeve i kryejnë të rinjtë. Kjo tregon tendencën e sotme të shoqërisë, ku krimi minor ka rritje. Nën diktaturë krimi ishte i izoluar dhe fëmijët ishin nën strukturat e forta të familjes dhe numri i krimeve ishte i ulët. Tani, për shkak edhe të liberalizimit të jetës, këto i fusin dhe në rrugë kriminale. Është një grup social me të cilin duhet të merremi seriozisht. Por këto janë dukuri globale dhe nuk janë vetëm te ne”, u shpreh psikologu Gëzim Tushi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN