Supervila 56 milionë € duhet të prishet, është ndërtuar ilegalisht 14 vjet më parë

Një supervilë luksoze, e ndërtuar në Rivierën franceze, me vlerë 56 milionë euro, do të duhet të prishet brenda 18 muajve, pasi është ndërtuar ilegalisht në një zonë të mbrojtur.

Kështu vendosi Gjykata pasi pronari i saj, Patrick Diter, nuk kishte marrë lejen e planifikimit para se të niste ndërtimin e kompleksit që ndodhet në pyjet mes Monakos dhe Kanës në jug të Francës.

Beteja ligjore nisi 14 vjet më parë kur fqinjët e Diter, milionerët britanikë Stephen dhe Caroline Butt panë se si në mes të pyllit u ngrit një strukturë tjetër, ndërsa u tërbuan kur panë se si Diter nisi të organizonte aty festa luksoze me të pasurit dhe personazhe të famshëm.

Çifti britanik përfitoi nga Gjykata edhe një dëmshpërblim prej 17000 eurosh, shifra modeste këto krahasuar me pasurinë prej mbi gjysmë miliardë eurosh që ata kanë. Ndërsa biznesmeni francez Diter, tani ka 18 muaj kohë për ta prishur ndërtimin.

Ai fitonte rreth 45 000 euro në ditë kur e jepte me qira pallatin për dasma oligarkësh apo për produksione kinematografike, ndërsa tani do të duhet të paguajë edhe një gjobë prej 400 000 eurosh.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN