Trump sulmon mediat: Armiq të SHBA, nxitën gënjeshtrat për Rusinë

150708 donald trump media ap 600x338

Donald Trump po e shfrytëzon në maksimum “momentumin” e ri politik, pasi Robert Mueller e pastroi nga akuzat për bashkëpunim të mundshëm me Rusinë në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë iu rikthye sulmeve ndaj mediave.

“Për dy vjet ato nxitën gënjeshtrën për një marrëveshje të fshehtë me Rusinë, ndërsa e dinin se ajo nuk ekzistonte. Ato vërtet janë armiku i popullit dhe partia e vërtetë  e opozitës!”

Donald Trump

Presidenti Trump përsëriti në Twitter thënien e një përkrahësi të tij se hetimi prej 22 muajsh i Prokurorit Special nuk duhet të kishte filluar fare. Në një përmbledhje të konkluzioneve të Mueller, Prokurori i Përgjithshëm William Barr, tha të dielën se Trump dhe fushata e tij e vitit 2016 nuk patën komplotuar me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitonte.

Por raporti nuk arrin në ndonjë përfundim nëse udhëheqësi amerikan ka penguar drejtësinë. Sulmi i Trump ndaj mediave, vjen pasi ai dhe aleatët republikanë në Kongres u zotuan se do të kryejnë hetimet e tyre për kritikët kryesorë të Presidentit dhe për ata që qëndrojnë pas hetimit mbi lidhjet mes fushatës së vitit 2016 dhe përpjekjeve të Rusisë për t’i prishur zgjedhjet amerikane.