Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Aleatët e Bashës gati për bojkot: Nuk ka zgjedhje me Ramën

Nga A2 CNN
28 Mars 2019, 15:50 | Politikë
Aleatët e Bashës gati për bojkot: Nuk ka zgjedhje me Ramën

Aleatët e demokratëve vazhdojnë besnikërinë ndaj aksionit opozitar për largimin e Ramës, edhe nëse kjo do të thotë bojkot i zgjedhjeve të 30 qershorit.

“Nuk mund të kemi zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër dhe Partia Republikane ka qenë dhe mbetet pjesë e këtij vendimi”, shprehet Fatmir Mediu.

“Ne dolëm nga shtëpia e madhe tani dhe nuk do ikim në zgjedhjet lokale. Ne dolëm nga zgjedhjet politike”, thotë Dashamir Shehi.

“Po diskutojmë që zgjedhjet të shtyhen, pasi është e vetmja alternativë”, shprehet Nard Ndoka.

Ndërkombëtarët janë shprehur kritik ndaj qëndrimit të opozitës për të dalë jashtë Parlamentit, megjithatë po tek ata po shihet së fundi mundësia për zgjidhjen e ngërçit politik. Mediu nuk i kursen kritikat ndaj Lulzim Bashës për një komunikim më të drejtpërdrejt me ndërkombëtarët.

“Është e domosdoshme që opozita të ndërtojë një marrëdhënie të qartë që të shpjegojë situatën, por dhe zgjidhjet në raport me faktorin ndërkombëtar. Të ketë një lëvizje të qartë në marrëdhëniet me ndërkombëtarët”, shprehet Mediu.

Ndërsa demokraisitani Nard Ndoka thotë se politika shqiptare duhet të ndihet në turp që hallet ia zgjidhin përherë të huajt.

“Është një turp për klasën politike shqiptare që gjithmonë vjen dikush dhe vjen i kap nga veshi. Është më mirë që forcat politike të dialogojnë”, thotë Nard Ndoka.

Një kërkesë e tyre ndaj Lulzim Bashës mbetet e pandryshueshme: rishikimi i sistemit zgjedhor.

“Ne si opozitë duhet të zgjidhim përfundimisht një gjë: Jemi republikë parlamentare apo jemi republikë kryetarësh partish. Në qoftë se jemi republikë parlamentare, atëherë duhet patjetër që qytetarët të votojnë se kush është deputeti që krijon bindjen se mund t’i përfaqësojë”, shprehet Fatmir Mediu.

“Është momenti që të vendosim një element mazhoritar. Ose të rikthehen një pjesë me listat me zonat elektorale ose t’i hapim listat, që qytetari shqiptar të shkojë përtej ngjyrës së flamurit dhe listët partiake dhe të mbërrijë te ai që është përfaqësues”, propozon Dashamir Shehi.

Opozita doli në rrugë më 16 shkurt duke kërkuar qeveri tranzitore pa Edi Ramën Kryeminister për zgjedhje të parakohshme të lira e të ndershme.

A2 CNN Livestream

Dita jonë