Karpushin: Është më lehtë të akuzosh rusët, sesa të zgjidhësh hallet e vendit

“I Ftuari” me Endri Xhafon këtë të enjte ishte ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin, i cili foli për akuzat që palët në Shqipëri i bëjnë njëra-tjetrës për ndikimin rus në jetën politike të vendit.

I pyetur nëse Rusia ka gisht në këtë krizën Karpushin i quajti të pabaza këto akuza, por dha shpjegimin e tij pse kjo ndodh, duke “thumbuar” politikën shqiptare. “Ne e kuptojmë shumë mirë se atje lart e dinë që këto akuza janë të pathemelta dhe të rreme. Dhe ne e kuptojmë se është shumë më e lehtë të akuzosh rusët për të gjitha mëkatet e botës, sesa të merresh me zgjidhjen e problemeve me të vërtetë të ngutshme të vendit: të luftosh korrupsionin dhe krimin, të ndalosh emigrimin e popullsisë në moshë pune, dhe t’u bësh ballë shumë sfidave të tjera, me të cilat përballet jo vetëm Shqipëria, por edhe të gjitha vendet e rajonit. Për fat të mirë, populli shqiptar e kupton këtë gjë dhe nuk i merr seriozisht këto spekulime, ashtu si edhe shumica e ekspertëve dhe analistëve të këtij vendi”, tha Karpushin.

Sipas ambasadorit rus, është shqetësuese që deklaratat e udhëheqësve shqiptarë nganjëherë bien në kundërshtim të plotë me faktet kur thonë se Rusia është kundër integrimit të Shqipërisë në BE. “Sidomos zbavitëse është kur deklarata të tilla bëhen në Itali, me të cilën Rusia ka tradicionalisht marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe kulturore, si edhe ndërveprim shumë intensiv politik”, shtoi Karpushin.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN