Ndikimi rus, takimi Rama-Putin dhe Kosova, intervista e plotë me ambasadorin rus

Kriza më e fundit politike në vend ka rinxjerrë në pah akuzat që palët i bëjnë njëra-tjetrës për ndikimin rus në jetën politike të vendit. Po si i përgjigjet ambasada kësaj akuze? A ka financuar Rusia Partinë Demokratike, kryetarin e saj Lulzim Basha, figura të tjera politike apo media shqiptare? Çfarë financon publikisht Rusia në Shqipëri dhe kush janë përfituesit? Çfarë është influenca ruse në Ballkan?

A është faktori shqiptar në rajon i paqartë për raportet që duhen ruajtur me Rusinë? A ka një kërkesë konkrete nga pala shqiptare për një takim të mundshëm Putin-Rama? Pse pala ruse e sheh të pamundur për momentin një takim të tillë? A është e gatshme Rusia ta njohë Kosovën, nëse Perëndimi i njeh Rusisë aneksimin e Krimesë?

Çfarë qëndrimi ka diplomacia ruse për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë? Pse e kërkon Rusia një bazë ushtarake ruse në Nish të Serbisë, për të cilën kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kreu i shërbimeve sekrete kosovare, Kadri Veseli ka thënë në “I Ftuari”, më herët, se nëse baza do të ngrihej, lufta rrezikonte të kthehej sërish mes Serbisë dhe Kosovës?

Ambasadori i Federatës Ruse, Alexander Karpushin, ishte “I Ftuari” i Endri Xhafos këtë të enjte në A2 CNN, ku foli për këto çështje, si dhe nuk la pa përmendur që nga Presidenti Meta, kryeministri Rama, e deri te Erion Veliaj.

Intervista e Plotë

Endri Xhafo/A2 CNN: Gjithmonë e më shumë në debatin publik në vend, por edhe jashtë vendit, po gjen përdorim togfjalëshi “ndikimi rus”. Për të folur pikërisht për këtë i ftuari i sotëm në program është ambasadori i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë zoti Alexander Karpushin. Zoti ambasador mirëserdhët në program.

Ambasadori Karpushin: Përshëndetje! Edhe unë ju falënderoj shumë për interesin tuaj dhe për këtë mundësi që të komunikoj me teleshikuesit shqiptarë.

Endri Xhafo: Kriza më e fundit politike në vend ka rinxjerrë në pah akuzat që palët i bëjnë njëra-tjetrës për ndikimin rus në jetën politike të vendit. Kryeministri Edi Rama e përmendi në konferencën për shtyp me kryeministrin Zaev, kurse prokuroria po heton burimin e parave që Partia Demokratike ka përdorur për lobim në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017, për të cilat është akuzuar se janë fonde ruse. A keni gisht ju, Rusia, në krizën e fundit politike në vend?

Ambasadori Karpushin: Duke folur për gjoja ndërhyrjen e Rusisë në procesin aktual politik në Shqipëri, dëshiroj të kujtoj se parimi themelor i politikës së jashtme ruse është mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera. Ky parim është plotësisht i zbatueshëm edhe në marrëdhëniet tona me Shqipërinë.

Për sa u përket akuzave të pasqyruara nga mediat shqiptare për rritjen e njëfarë ndikimi negativ të Rusisë, për financimin prej saj të opozitës shqiptare, medias apo edhe politikanë të caktuar, dua të them se të gjitha këto, në thelb, janë absolutisht absurde dhe të pabaza. As nuk do të doja t’i komentoja, aq më tepër të argumentoja se përse ato nuk janë të vërteta. Megjithatë, do të them disa fjalë për këtë temë.

Është e qartë se teza e përhapur në media, e përsëritur në deklaratat e drejtuesve të niveleve të ndryshme për gjoja ndërhyrjen e Rusisë në punët e brendshme të Shqipërisë, jo rastësisht është hedhur në qarkullim. Kjo lidhet me tensionimin e situatës së brendshme politike në vend ku “faktori rus”, për fat të keq, përdoret në përplasjet midis mazhorancës dhe opozitës.
Ne e kuptojmë shumë mirë se atje lart e dinë që këto akuza janë të pathemelta dhe të rreme. Dhe ne e kuptojmë se është shumë më e lehtë të akuzosh rusët për të gjitha mëkatet e botës, sesa të merresh me zgjidhjen e problemeve me të vërtetë të ngutshme të vendit: të luftosh korrupsionin dhe krimin, të ndalosh emigrimin e popullsisë në moshë pune, dhe t’u bësh ballë shumë sfidave të tjera, me të cilat përballet jo vetëm Shqipëria, por edhe të gjitha vendet e rajonit. Për fat të mirë, populli shqiptar e kupton këtë gjë dhe nuk i merr seriozisht këto spekulime, ashtu si edhe shumica e ekspertëve dhe analistëve të këtij vendi.

Është shqetësuese që deklaratat e udhëheqësve shqiptarë nganjëherë bien në kundërshtim të plotë me faktet. Për shembull, kur thonë se Rusia është kundër integrimit të Shqipërisë në BE. Sidomos zbavitëse është kur deklarata të tilla bëhen në Itali, me të cilën Rusia ka tradicionalisht marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe kulturore, si edhe ndërveprim shumë intensiv politik. Midis vendeve tona ka një numër mekanizmash të rëndësishëm bashkëpunimi duke përfshirë takimet e rregullta të Komisionit Ndërqeveritar. Dhe tani bëni një krahasim me Shqipërinë, ku shkëmbimet tregtare dhe ekonomike me Rusinë janë tepër të politizuara dhe praktikisht nuk ecin përpara. Ndërkohë që sesioni i fundit i Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri është zhvilluar gati 10 vite më parë.

Endri Xhafo: A mund t’ju ndërpres një moment zoti Ambasador? Ju, kur thoni “deklaratat e bëra në Itali”, i referoheni intervistave të fundit të kryeministrit për mediat italiane?

Ambasadori Karpushin: Po, e kam fjalën edhe për deklaratat e Kryeministrit Rama i cili u shpreh se çdo ngadalësim i rrugëtimit evropian të Shqipërisë është gjoja në interes të Rusisë. Do të doja të thoja me përgjegjësi të plotë: Moska kurrë nuk ka kundërshtuar as zgjerimin e BE-së, as integrimin evropian të Shqipërisë. Ne nuk pajtohemi me disa qëndrime në bllok të Brukselit, si për shembull, përpjekjet e tij për t’i vënë vendet kandidate përpara një zgjedhjeje artificiale: ose me Moskën, ose me Brukselin. Megjithatë, drejtuesit më të lartë të Rusisë, përfshirë edhe Presidentin Putin, kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se për vendin tonë BE-ja është një fqinj i rëndësishëm dhe partneri kyç ekonomik. Do të përmend vetëm një shifër: aktualisht 45% e shkëmbimeve tregtare të Rusisë realizohen me Bashkimin Evropian, dhe kjo ndodh pavarësisht sanksioneve.

Për fat të keq, elitat qeverisëse të Shqipërisë nuk e shfrytëzojnë mundësinë për të zhvilluar marrëdhënie pragmatike njëkohësisht edhe me Rusinë, edhe me BE-në. Por, ky nuk është faji ynë. Udhëheqja shqiptare me vetëdije sakrifikon perspektivën e partneritetit dypalësh, përfshirë këtu edhe rritjen e fluksit të turistëve rusë, e cila mund të kontribuonte në zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Tendenca për të përmbushur objektivat e menjëhershëm politikë mbizotëron mbi mendimin strategjik për një perspektivë afatgjatë.

Endri Xhafo: Zoti ambasador ndjesë, t’i rikthehem edhe njëherë çështje së financimeve: Në mënyrë nominale dhe të prerë ju mohoni që Rusia të ketë financuar Partinë Demokratike, kryetarin e saj Lulzim Basha, apo figura të tjera të jetës politike apo mediatike në vend?

Ambasadori Karpushin: Unë tashmë ju fola për absurditetin dhe pathemelësinë e materialeve të tilla në mediat shqiptare. Nëse i analizojmë ato me kujdes, do të shohim se në to nuk ka as edhe një fakt të vetëm konkret, por vetëm hamendje. Dhe kryesorja është që nuk shpjegojnë motivet apo, të paktën, ndonjë arsye të financimit të Partisë Demokratike nga burimet ruse. Madje, unë dyshoj se biznesmenët rusë kanë dëgjuar ndonjëherë për ekzistencën e saj. Përse duhet t’i japin para Partisë Demokratike? Mos vallë është më proruse sesa Partia Socialiste? Jo, aspak. Sot ne shohim se njësoj si mazhoranca, ashtu edhe opozita nuk janë të prirura për të bashkëpunuar me Rusinë dhe janë futur në garë me njëra-tjetrën se kush bën më shumë deklarata antiruse. Në të njëjtën kohë, aleatët e demokratëve në parlament organizojnë aktivitete rusofobike në Uashington me mbështetjen e kongresmenëve amerikanë. Nga të gjitha këto, çfarë mund ta shtyjë Rusinë, të paktën teorikisht, për të mbështetur opozitën shqiptare?

E kuptoj, natyrisht, që Shqipëria po përpiqet, në çdo aspekt, të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara, ku tashmë prej disa vitesh trumbetojnë për ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Megjithatë, shikoni ju lutem se si përfundoi hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller. Pas shumë hulumtimeve dhe një fushate të pafundme propagandistike në media, të gjitha akuzat për “dorën e Kremlinit” kanë plasur si një flluskë sapuni. A mendoni se ndonjë nga politikanët, ekspertët, gazetarët në Perëndim apo në Shqipëri do t’i kërkojë falje Rusisë për të gjitha fyerjet e bëra ndaj vendit tonë në kontekstin e kësaj historie? S’di pse, mua më duket se jo.
Ka edhe një moment tjetër interesant që dua ta përmend. Pak kohë më parë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tashmë një politikan me përvojë, e paraqiti lajmin e rremë për financimin e Partisë Demokratike si një fakt të vërtetuar. Ai deklaroi haptazi se kandidatët për postin e Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit shqiptar caktohen dhe madje paguhen nga Moska. Kjo deklaratë më duket një gabim.

Endri Xhafo: Dakord zoti Ambasador, që ta mbyllim çështjen e financimeve: Rusia nuk jep, biznesmenë ruse nuk japin financime të fshehta, sipas jush. Po financime publike a jep Rusia apo ambasada ruse për shqiptarë? Kam parasysh këtu në vitet ’90 pati disa studentë shqiptarë që studiuan në Rusi, njësoj siç studiuan në një vend tjetër të lindjes siç ishte Rumania, që asokohe nuk ishte ende anëtar as i NATO-s, as i Bashkimit europian.

Ambasadori Karpushin: Nuk e kuptoj, përse përmendët Rumaninë? Pasi studentët shqiptarë studiojnë në të gjithë botën. Po, është e vërtetë që në Rusi ekziston një program i posaçëm shtetëror, sipas të cilit qeveria u ofron çdo vit maturantëve të huaj bursa falas për të studiuar në universitete ruse. Dhe ky program realizohet edhe sot.

Universitetet ruse janë prestigjioze dhe tërheqëse për studentë nga e gjithë bota. Të rinjtë shqiptarë nuk përbëjnë përjashtim dhe demonstrojnë një kërkesë të qëndrueshme për t’u arsimuar në Rusi. Jam i sigurt se qeveria shqiptare është e interesuar për trajnim të specialistëve të kualifikuar, të cilët kur të kthehen në atdhe do të japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit të tyre. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh procesin e largimit të popullsisë nga Shqipëria, si edhe deficitin e punonjësve të rinj të kualifikuar.

Në vitin 2018 në kuadër të këtij programi më shumë se 15 mijë aplikantë nga e gjithë bota morën bursa studimi, duke përfshirë edhe 53 studentë nga Shqipëria. Këtë vit do të fillojnë studimet e tyre në Rusi edhe 51 studentë të tjerë shqiptarë. Gjithsej, në Rusi janë diplomuar disa qindra shqiptarë, përfshirë këtu ambasadorë aktivë dhe drejtorë të drejtorive në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Të mos përmendim mijëra shqiptarë që studiuan në universitetet e Bashkimit Sovjetik, si për shembull shkrimtari Ismail Kadare i cili ka mbaruar në Moskë, apo babai i Kryeministrit aktual të Shqipërisë që është diplomuar në Akademinë e Arteve në Shën Petërburg.

Endri Xhafo: Çfarë është Shqipëria për Rusinë nga pikëpamja gjeopolitike, ekonomike dhe kulturore?

Ambasadori Karpushin: Para së gjithash, për Rusinë Shqipëria është një vend, me të cilin kemi një histori pozitive të marrëdhënieve në vitet 1945-1961. Ne jemi të lidhur nga një përvojë shumëvjeçare e raporteve shumë miqësore, pothuajse vëllazërore. Edhe sot e kësaj dite, pavarësisht disa vështirësive, për të cilat biseduam sot, nëse do të vlerësojmë marrëdhëniet tona në tërësi, duhet të theksojmë se, për fat të mirë, ato janë miqësore. Midis vendeve tona nuk ka ndonjë problem të pazgjidhur apo pretendim ndaj njeri-tjetrit.

Endri Xhafo: Jemi shumë larg për të pasur konteste territoriale

Ambasadori Karpushin: Natyrisht, do të dëshiroja që partneriteti ynë të depolitizohej, të ndërtohej në balancën e interesave kombëtare dhe të sillte përfitime reale për të dyja palët. Kjo, padyshim, do të ndihmonte në forcimin e paqes dhe stabilitetit si në Ballkan, ashtu edhe në Evropë. Për fat të keq, tani për tani nuk mund të konstatojmë një gjë të tillë. Potenciali i bashkëpunimit midis Rusisë dhe Shqipërisë nuk shfrytëzohet plotësisht.
Shpresojmë se, pavarësisht trillimeve për gjoja Rusinë agresive dhe për rrezikun që vjen prej saj, ne do të jemi në gjendje të kapërcejmë keqkuptimet ekzistuese dhe të përqendrohemi në zhvillimin e lidhjeve dypalëshe, në të mirë të popujve tanë. Për më tepër, siç tregon jeta, ne kemi shumë interesa të përbashkëta, shumë gjëra që na bashkojnë. Ne e dimë se shqiptarët kanë interes për kulturën tonë, shumë prej tyre janë rritur me letërsinë dhe muzikën ruse, kanë mësuar gjuhën ruse dhe kujtojnë me ngrohtësi kohën e asaj miqësie. Siç e thashë, brezi i ri shfaq një interes në rritje për t’u arsimuar në Rusi. E rëndësishme, siç u shpreh Presidenti Putin, është të merremi vesh në mënyrë të ndershme dhe me respekt të ndërsjellë. Jam i sigurt se kështu do të jetë.

Endri Xhafo: Zoti Ambasador, ju thatë që marrdhëniet mes dy vendeve duhet të depolitizohen. Por a janë ndikuar këto marrëdhënie nga dëbimi i diplomatëve respektivë nga të dy vendet?

Amasadori Karpushin: I jam përgjigjur disa herë kësaj pyetjeje. Dëbimi i dy diplomatëve rusë pa asnjë arsye bindëse ishte një akt jomiqësor ndaj vendit tonë. Edhe pse është mjaft e qartë se vendimi është marrë nën presionin e jashtëm, për të demonstruar të ashtuquajturin “solidaritet transatlantik”.

Dhe tani, pas gati një viti, kur pala britanike nuk ka paraqitur asnjë provë të përfshirjes së Rusisë në helmimin e Skripalëve, është e qartë se ky vendim ishte një gabim i autoriteteve shqiptare. Pa asnjë dyshim, kjo ndikoi në mënyrë më negative në marrëdhëniet tona dypalëshe. Sot, niveli i raporteve tona ka arritur pikën më të ulët që nga momenti i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në fillim të viteve ‘90. Kuptohet që janë të nevojshme përpjekje dhe hapa seriozë për normalizimin e tyre. Ne gati jemi, por, të jem i sinqertë, lidershipi shqiptar sillet në mënyrë paradoksale: nga njëra anë deklaron për nevojën e zhvillimit të bashkëpunimit në fushën e turizmit, shpreh interes për rritjen e fluksit të turistëve rusë, por nga ana tjetër e demonizon Rusinë, shpif kundër saj duke përdorur argumente nga më absurdet për qëllime të brendshme politike dhe për të ruajtur reputacionin e vet në sytë e partnerëve perëndimorë, sipas logjikës së solidaritetit euroatlantik.

Endri Xhafo: Zoti Ambasador, ju thatë se Rusia nuk është kundër integrimit të Shqipërisë në Bashkimin europian. Por kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, Rusia e kundërshtoi këtë. Pse? Për shkak të kësaj marrëdhënie transatlantike që Shqipëria vendosi me anëtarësimin e saj në NATO?

Ambasadori Karpushin: Vlerësimi juaj për qëndrimin e Rusisë në këtë çështje nuk është plotësisht korrekt. Unë do t’ju rekomandoja të njiheshit me materialet e atyre viteve në mënyrë që të kuptoni qëndrimin zyrtar të Moskës mbi këtë çështje. Siç dihet, Shqipëria dhe Kroacia u ftuan për t’u bërë anëtare të Aleancës në Samitin e NATO-s në Bukuresht në prill 2008. Presidenti Putin ishte i pranishëm atje, mbajti një fjalim në takimin e mbyllur të Këshillit Rusi-NATO dhe bisedoi me gazetarët. Tema kryesore që ishte shqetësuese për ne nuk ishte integrimi i Shqipërisë, por planet për tërheqjen e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në këtë bllok ushtarak. Për më tepër, nëse do t’i ktheheni konferencës për shtyp të Presidentit rus, do të shihni se ai theksoi synimin e Moskës për të zhvilluar bashkëpunim me Aleancën, pasi një bashkëpunim i tillë ishte i nevojshëm për zgjidhjen e krizave në rajone të ndryshme të botës. Që nga ajo kohë qëndrimi i Rusisë parimisht nuk ka ndryshuar.

Në korrik dhe në dhjetor 2009, domethënë pas anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë, u zhvilluan takime pune të ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Shqipërisë. Ndër temat e diskutimit prapë nuk ka qenë aderimi i Tiranës në NATO. Dua të përsëris se anëtarësimi i Shqipërisë, si çdo vend tjetër, në Aleancë, si edhe integrimi evropian i vendit tuaj, nuk janë pengesa për zhvillimin e marrëdhënieve normale me Rusinë. Këtë e konfirmojnë rastet e shumë vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Endri Xhafo: Këtu i referoheni konkretisht marrëdhënies që keni me Turqinë, një vend anëtar i NATO-s me të cilin keni një parteneritet të veçantë pavarësisht episodit të pakëndshëm të rrëzimit të avionit rus nga forcat turke?

Ambasadori Karpushin: Po, keni shumë të drejtë. Marrëdhëniet me Turqinë pas incidentit me avionin tonë, janë me të vërtetë plotësisht të ripërtërira. Shkëmbime tregtare janë rritur me 20% dhe kanë arritur një volum prej më shumë se 25 miliardë dollarë. Vitin e kaluar numri i turistëve rusë që vizituan Turqinë u rrit me 25% dhe arriti në gati 6 milionë njerëz. Ju mund të llogarisni vetë se sa i dobishëm është ky fluks turistësh për buxhetin turk. Bëhet fjalë për miliarda dollarë. Ju lutem, tregojuni udhëheqësve të vendit tuaj për këtë gjë. Mbase, pas kësaj, perceptimi i tyre mbi marrëdhëniet me Rusinë do të ndryshojë disi.

Unë mendoj se vetëm një shembull i Turqisë nuk është i mjaftueshëm, mund të sjellim edhe më shumë. Kështu, anëtarësimi i Gjermanisë në NATO nuk është pengesë për zhvillimin e bashkëpunimit me Rusinë në fushën e energjisë duke përfshirë këtu ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO nuk pengon 250 mijë turistë rusë të kalojnë pushimet atje çdo vit. Besoj se ju e kuptoni se kjo listë është shumë e gjatë. Dua të theksoj edhe një herë se Rusia i përmbahet një qasjeje pragmatike, dëshiron të bashkëpunojë me të gjitha vendet dhe kurrë nuk i vendos partnerët e saj përpara zgjedhjes “ose me ne, ose kundër nesh”.
Realiteti është se Shqipëria, krahasuar me vende të tjera evropiane, qëndron mënjanë në këtë aspekt. Dhe kjo nuk të ngjall asgjë, përveçse keqardhje.

Endri Xhafo: Pra ju zoti Ambasador jeni gati që paratë tuaja t’i jepni në mënyrë publike dhe të hapur pë Shqipërinë, nëpërmjet, ndoshta, turistëve, kur përmendni miliardat e fluksit të turistëve rus Turqi apo në Mal të Zi?

Ambasadori Karpushin: S’bëhet fjalë për ndonjë mbështetje financiare, por në radhë të parë për shkëmbime njerëzore që janë shumë të rëndësishme. Ne u jemi shumë falënderues autoriteteve shqiptare për heqjen e radhës të vizave për turistët rusë për periudhën prill-tetor 2019. Shkëmbimet turistike shërbejnë gjithmonë si një shtysë e fuqishme për zhvillimin e investimeve dhe marrëdhënieve ekonomiko-tregtare. Këtu, prapë, shembulli i Malit të Zi është shumë pozitiv: aty gjithçka filloi me ardhjen masive të turistëve nga Rusia, pastaj erdhën investitorë, dhe sot për sot në këtë vend punojnë dhe jetojnë shumë rusë, të cilët po i çojnë përpara marrëdhëniet tona bilaterale.

Endri Xhafo: Unë përmenda Turqinë në fakt, sepse doja të qëndroja në Ballkan, por ju përmendët edhe Malin e Zi, Gjermaninë… Sigurisht, edhe Gjermania është një vend që ka një marrëdhënie të konsoliduar me Rusinë. Por në fakt doja të dija çfarë është influenca ruse në Ballkan? Do të doja të isha më konkret. Presidenti Ilir Meta, përshembull, duke folur edhe ai për influencën ruse ka thënë shprehimisht: “…Jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike për fat të keq të Rusisë në rajonin tonë…”.

Ambasadori Karpushin: Ndikimi i Rusisë në Ballkan mbështetet në afrimitetin e hershëm shpirtëror, kulturor dhe etnik me popujt e rajonit. Ky ndikim ka për qëllim ndërtimin e marrëdhënieve në bazë të respektit të ndërsjellë në fushën e tregtisë, ekonomisë, investimeve dhe atë humanitare, si edhe në forcimin e gjithanshëm të stabilitetit dhe sigurisë në këtë pjesë të Evropës.

Për fat të keq, në Perëndim ekzistojnë disa forca që nuk e pëlqejnë vetë faktin e pranisë ruse në Ballkan, megjithatë nuk guxojnë të flasin hapur për këtë, ndaj shpikin histori absurde për “ekspansionin” e Rusisë, “veprimtari subversive”, “luftë hibride”, “atentate” etj., por, në të njëjtën kohë, nuk sjellin asnjë fakt konkret. Ky është stili i zakonshëm i vendeve perëndimore vitet e fundit.

Ata harrojnë se Rusia ka qenë e pranishme në rajon për shumë shekuj. Ajo ka interesat e veta në Ballkan duke përfshirë ato ekonomike, ndërsa qytetarët e rajonit nuk e shohin vendin tonë si një armik. Perëndimi duhet ta konsiderojë Rusinë jo si një rival, kundër të cilit duhet zhvilluar një fushatë propagande e pisët dhe cinike, por si një partner të barabartë. E di që kjo është jashtëzakonisht e vështirë për perëndimorët, por këtë e kërkon realiteti objektiv i krijuar në Ballkan.

Kur dëgjojmë nga zyrtarët shqiptarë për ndikimin gjoja “toksik” të Rusisë në rajon, mua më duket se ata kanë harruar ose e kanë detyruar veten të harrojnë atë që ka ndodhur këtu pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Rusia, e shkatërruar dhe e stërmunduar nga lufta, pasi kishte humbur 27 milionë jetë njerëzish, iu përgjigj thirrjes së popullit shqiptar për ndihmë dhe në fakt e shpëtoi Shqipërinë nga katastrofa humanitare, duke dhënë një kontribut kolosal në zhvillimin e ekonomisë, shkencës, kulturës, ushtrisë, si edhe në shkollimin e përfaqësuesve më të mirë të elitës, me të cilët shqiptarët edhe sot krenohen me të drejtë. Meqë ra fjala, sot frytet e ndihmës sonë i gëzon jo vetëm vetë Shqipëria, por edhe NATO-ja, e kam fjalën për infrastrukturën ushtarake të krijuar në vendin tuaj.

Endri Xhafo: Mbetemi edhe pak, zoti ambasador, te Presidenti Ilir Meta, i cili mori pjesë para pak kohësh në një takim në Uashington kundër kundër influencës ruse në Ballkan, kurse presidenti Thaçi ftoi presidentin Putin në Kosovë. A është faktori shqiptar në rajon i paqartë për raportet që duhen ruajtur me Rusinë?

Ambasadori Karpushin: Më duket se në një të ardhme të afërt nuk do të shohim ndonjë qëndrim të qartë dhe të konsoliduar të faktorit shqiptar në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë, për një arsye të thjeshtë: përfaqësuesit e këtij faktori nuk kanë mundësi të marrin vendime të pavarura në këtë drejtim. Ata e pranojnë edhe vetë këtë. Prandaj, kur Rusia propozon ndonjë iniciativë, në shumicën e rasteve ata japin përgjigje negative, nganjëherë edhe nën pretekstin e angazhimeve politike.

Endri Xhafo: Zoti ambasador, tani thoni që “faktori shqiptar nuk merr vendime të pavarura”, pak më parë thatë që “në emër të solidaritetit trans-atlantik u detyrua Shqipëria të përzinte dy diplomatët”… Megjithatë ka të paktën një deklaratë konkrete nga ana e kryeministrit Edi Rama, i cili, në një rast, është shprehur i gatshëm të takohet me presidentin Putin. A ka ndonjë kërkesë konkrekte nga pala shqiptare për ndonjë takim të mundshëm?

Ambasadori Karpushin: Jo, nuk kemi marrë asnjë kërkesë për këtë. Sidoqoftë, një takim i tillë, për mendimin tim, është i mundur dhe i domosdoshëm. Por, organizimi i tij kërkon një axhendë të përshtatshme. Si motiv për këtë mund të jetë diskutimi i çështjeve të bashkëpunimit bilateral apo nënshkrimi i dokumenteve të rëndësishme dypalëshe, si për shembull Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit. Varianti i parë i këtij Traktati është përgatitur që në vitin 1995. Varianti i dytë u siglua në vitin 2004 në Tiranë nga ministrat e jashtëm të dy vendeve. Megjithatë, Traktati nuk u nënshkrua kurrë. Drejtuesit e Shqipërisë e kuptojnë domosdoshmërinë e një dokumenti të tillë dypalësh. Tre vite më parë, gjatë takimit tim me Kryeministrin Rama, ai ra dakord të krijonte një grup pune për të finalizuar draftin, por kjo nuk u bë kurrë. Pala shqiptare, siç duket, nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik.

Pra, duke iu kthyer pyetjes tuaj, duhet të them që, me gjendjen aktuale të marrëdhënieve tona dypalëshe, një takim i tillë me Presidentin e Rusisë vështirë se do të jetë i mundur.

Endri Xhafo: T’i rikthehemi pak vizitës së shumëtrumbetuar të Presidentit Putin në Beograd ku u shpreh se krijimi i ushtrisë së Kosovës rrezikon stabilitetin në Ballkan. Pse?

Ambasadori Karpushin: Deklaratat e udhëheqjes ruse për veprimet e Prishtinës janë gjithmonë të lidhura pazgjidhshmërisht me regjimin jurudiko-ndërkombëtar, i cili ekziston sot e kësaj dite rreth çështjes së Kosovës. Nuk është sekret për askënd se dokumenti bazë i zgjidhjes së çështjes së Kosovës mbetet rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila nuk lejon as krijimin e Forcave ekzistuese të Sigurisë së Kosovës, të mos flasim pastaj për ushtri. Po, rezoluta parashikon prezencën në Kosovë të forcave të sigurisë, por vetëm të forcave ndërkombëtare. Dhe këto të fundit ishin krijuar me vendim të Këshillit të Sigurimit. Dhe vetëm Këshilli i Sigurimit mund të miratojë krijimin e ndonjë force të re të këtij lloji.
Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se një nga qëllimet e rezolutës ka qenë demilitarizimi i Kosovës, dhe aspak e kundërta. Pra, deklarata në fjalë e Presidentit Putin duhet lexuar si një thirrje për respektimin e normave ekzistuese juridiko-ndërkombëtare.

Endri Xhafo: Po pse i referoheni rezolutës 1244, kur kemi një vendim të gjykatës ndërkombëtare në lidhje me pavarësinë e Kosovës, që sipas atij vendimi, pavarësia e Kosovës nuk cënoi të drejtën ndërkombëtare? A është e gatshme Rusia ta njohë Kosovën? Dhe në cilat rrethana? A jeni të gatshëm ta bëni një gjë të tillë nëse Perëndimi i njeh Rusisë aneksimin e Krimesë?

Ambasadori Karpushin: Në lidhje me ribashkimin e Krimesë me Rusinë, të cilën ju në mënyrë të pabazë e quani “aneksim”, mund t’ju them këtë gjë. Sot Krimeja është një pjesë e pandashme e Rusisë. Për ne kjo çështje tashmë është e zgjidhur përfundimisht dhe nuk ka vend më për diskutim. Njohja apo mosnjohja e këtij fakti nga Perëndimi nuk ka rëndësi për vendin tonë.
E rëndësishme është që ribashkimi u bë në përputhje me standardet më të larta demokratike, pa asnjë të shtënë dhe pa asnjë pikë gjaku të derdhur. Banorët e Krimesë bënë zgjedhjen e tyre të lirë, duke shprehur vullnetin e tyre në një referendum absolutisht transparent. Rezultatet e tij flasin vetë: me pjesëmarrje prej 83%, më shumë se 95% e atyre që votuan u shprehën në favor të kthimit të gadishullit në përbërje të Rusisë. Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kartën e OKB-së, ajo që ndodhi në Krime ishte një formë absolutisht legjitime e ushtrimit të së drejtës së popullit për vetëvendosje.

Për sa i përket njohjes së Kosovës, e përsëris se në këtë çështje Rusia i përmbahet me vendosmëri ligjit ndërkombëtar. Zgjidhja e çështjes së Kosovës ka qenë dhe mbetet prerogativë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rezoluta 1244, e cila konfirmoi angazhimin e vendeve-anëtare ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë së atëhershme, ende mbetet në fuqi, i pëlqen dikujt apo jo. Ne mbështesim bisedimet aktuale, me ndërmjetësim të BE-së, midis Beogradit dhe Prishtinës. Ashtu si Shqipëria, edhe ne po presim përfundimin e tyre të suksesshëm. Nisemi nga fakti që marrëveshja finale midis palëve duhet patjetër t’i kalojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shqyrtim, dhe vetëm pas miratimit të tij rezoluta 1244 mund të humbasë fuqinë e saj aktuale. Për momentin pra, është e parakohshme të flasim për njohjen e Kosovës nga Rusia.

Endri Xhafo: Pra zoti Ambasador ju i referoheni presidentit Putin që Rusia do të njohë çdo rezultat që do dalë nga negociatat. A përfshin kjo edhe një korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë?

Ambasadori Karpushin: Nuk e kam shumë të qartë se përse ju më kërkoni mua, përfaqësuesit të Rusisë, të komentoj një ide e cila promovohet nga zyrtarë amerikanë. Siç mund ta mbani mend, fillimisht, në gusht 2018, për zbatimin e mundshëm të këtij skenari ka folur këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare John Bolton, ndërkohë që më pas, në fillim të marsit 2019, për këtë ka folur Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit Mattheë Palmer.

Nga ana tjetër, nuk ka pasur asnjë rast të vetëm që udhëheqësit rusë të kenë folur për rishikimin e kufijve në rajon. Prandaj është e habitshme që këtu, në Shqipëri, shumë politikanë dhe ekspertë merren me dezinformim të hapur duke e bindur publikun se ide të tilla i përkasin Rusisë dhe mbështeten nga Rusia. Për çfarë qëllimi e bëjnë këtë? Është një pyetje retorike.

E përsëris, Rusia i mbështet plotësisht bisedimet aktuale midis Beogradit dhe Prishtinës. Presidenti Putin ka theksuar disa herë që vendi ynë është i gatshëm të pranojë çdo zgjidhje reciprokisht të pranueshme që palët do të arrijnë përmes dialogut dhe në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Deri më sot nuk kemi dëgjuar asnjë njoftim zyrtar që do të konfirmonte që palët po e shqyrtojnë ndryshimin e kufijve si një opsion të përshtatshëm për zgjidhjen e situatës.

Endri Xhafo: Edhe një pyetje të fundit zoti Ambasador: Serbia ka refuzuar vazhdimisht kërkesën e Rusisë për një bazë ushtarake ruse në Nish. Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli më tha në një intervistë se nëse kjo bazë ruse në Nish do të ishte ndërtuar, lufta rrezikonte të kthehej sërish mes Serbisë dhe Kosovës. Pse e kërkon Rusia këtë bazë ushtarake?

Ambasadori Karpushin: Unë kam vite që punoj në Shqipëri dhe, të them të drejtën, është e vështirë të më befasosh, por ju pa dyshim që ia dolët. Duket sikur po përpiqeni të më zhgënjeni në fund të intervistës, sepse ajo që thoni ju është një shembull klasik i një “fake neës”-i.

Është hera e parë që dëgjoj se Rusia “kërkon” të vendosë një bazë ushtarake në Nish. Do të ishte interesante të mësoja se nga e merrni këtë informacion. Në Nish, siç dihet, vepron Qendra Humanitare Ruso-Serbe, e cila merret me përballimin e pasojave të emergjencave civile në rajon.

Meqë ra fjala, në vitin 2015, Qendra i ka ofruar ndihmë humanitare Shqipërisë. Në Tiranë është dërguar një ngarkesë për qytetarët e prekur nga përmbytjet. Në vitet në vijim, gjithsesi, kur Shqipëria u ka kërkuar ndihma humanitare vendeve të huaja, propozimet e Qendrës s’e di pse gjithmonë i ka refuzuar. Kjo është prania ruse në Nish, kaq.

Endri Xhafo: Zoti Ambasador unë ju falenderoj për këtë intervistë. Ishte kënaqësi që ju kishim të ftuar në program

Ambasadori Karpushin: Ishte kënaqësi edhe për mua, ju faleminderit shumë. Ambasada jonë është gjithmonë e hapur për çdo kontakt me televizionin tuaj.