Njohja e Kosovës, ambasadori rus: Rezoluta e OKB-së garanton sovranitetin e Jugosllavisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, në vizitën e tij në Beograd deklaroi se krijimi i ushtrisë së Kosovës rrezikon stabilitetin në Ballkan. Sipas ambasadorit rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin, kjo është e vërtetë, sepse krijimi i ushtrisë së Kosovës është një veprim që bie ndesh me ligjet ndërkombëtare.

“Nuk është sekret për askënd se dokumenti bazë i zgjidhjes së çështjes së Kosovës mbetet rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila nuk lejon as krijimin e Forcave ekzistuese të Sigurisë së Kosovës, të mos flasim pastaj për ushtri. Po, rezoluta parashikon prezencën në Kosovë të forcave të sigurisë, por vetëm të forcave ndërkombëtare. Dhe këto të fundit ishin krijuar me vendim të Këshillit të Sigurimit. Dhe vetëm Këshilli i Sigurimit mund të miratojë krijimin e ndonjë force të re të këtij lloji”, tha Karpushin në “I Ftuari” me Endri Xhafon në A2 CNN.

Por a është e gatshme Rusia ta njohë Kosovën, nëse Perëndimi i njeh Rusisë aneksimin e Krimesë? “Sot Krimeja është një pjesë e pandashme e Rusisë. Për ne kjo çështje tashmë është e zgjidhur përfundimisht dhe nuk ka vend më për diskutim”, tha Karpushin. “Njohja apo mosnjohja e këtij fakti nga Perëndimi nuk ka rëndësi për vendin tonë. E rëndësishme është që ribashkimi u bë në përputhje me standardet më të larta demokratike, pa asnjë të shtënë dhe pa asnjë pikë gjaku të derdhur”.

“Për sa i përket njohjes së Kosovës, e përsëris se në këtë çështje Rusia i përmbahet me vendosmëri ligjit ndërkombëtar. Zgjidhja e çështjes së Kosovës ka qenë dhe mbetet prerogativë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rezoluta 1244, e cila konfirmoi angazhimin e vendeve-anëtare ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë së atëhershme, ende mbetet në fuqi, i pëlqen dikujt apo jo. Ne mbështesim bisedimet aktuale, me ndërmjetësim të BE-së, midis Beogradit dhe Prishtinës. Ashtu si Shqipëria, edhe ne po presim përfundimin e tyre të suksesshëm”, shtoi Karpushin.