Protesta, Boçi: Sjellje brutale e policisë ndaj grave, trupë jeniçerësh

Lulzim Basha mbylli protestën e 7-të të opozitës si çdo herë, në oborrin e selisë blu, duke theksuar se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën dhe as pakt me atë që e quajti “Maduro i Ballkanit”.

Gjithsesi, protesta e sotme u zhvillua pa surpriza përpara Parlamentit, duke ndjekur të njëjtin skenar si herët e kaluara. Paralelisht, brenda parlamentit mazhoranca me deputetet e rinj të opozitës vazhduan seancën, ndërkohë që kryeministri priti mbarimin e protestës për të marrë fjalën. Ai ka ironizuar sot sërish opozitën dhe skenarët e saj, duke e quajtur atë tubimi i punonjësve të bashkive të djathta.

Për të folur për protestën e sotme të opozitës, por edhe për situatën politike në vend, ishin të ftuar në “A2 Debat” ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi dhe Aristir Lumezi, gazetar e analist.

Sa i përket protestës së kësaj të enjteje, Boçi veçoi reagimin e policisë ndaj grave. “Çdo protestë ka tiparet e saj. Kishte goxha surpriza. Surpriza e parë ishte sjellja brutale e policisë ndaj grave. Një grua 70-vjeçare është tërhequr zvarrë nga policia. Kishte edhe arrestime që janë të përsëritur, por edhe të studentëve të ekselencës. Reaksioni i opozitës, por edhe ai i qytetarëve ndaj Ministrisë së Brendshme ndaj sjelljes së policisë, e cila është bërë zgjatim i qeverisë, në kuptimin politik. Trup jeniçere që i shërben interesave të një grupi të caktuar që ka kapur dhe ka uzurpuar shtetin shqiptarë dhe qeverisjen e vendit. Kjo shfaqe e policisë rrit brutalitetin e saj ndaj qytetarëve dhe ul forcën e saj ndaj krimit”, tha Luçiano Boçi.

Për Lumezin, opozita ka futur një lloj moderimi në tubimet e saj. “Nëse në protestat e para kishte dhe dhunë dhe gaz lotsjellës, te të fundit, opozita ka shkuar deri në limitet e përdorimit të gazit lotsjellës. Ka rreth 4 paralajmërime për qytetarët dhe në fund, opozita bën hapi prapa. Është shmangur dhuna”, shprehet Aristir Lumezi.