“Shqiptarët kanë interes për kulturën tonë, lidershipi demonizon Rusinë”

Sipas ambasadorit rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin, pavarësisht vështirësive, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë mbeten miqësore. “Shpresojmë se, pavarësisht trillimeve për gjoja Rusinë agresive dhe për rrezikun që vjen prej saj, ne do të jemi në gjendje të kapërcejmë keqkuptimet ekzistuese dhe të përqendrohemi në zhvillimin e lidhjeve dypalëshe, në të mirë të popujve tanë. Për më tepër, siç tregon jeta, ne kemi shumë interesa të përbashkëta, shumë gjëra që na bashkojnë”, tha ai.

“Ne e dimë se shqiptarët kanë interes për kulturën tonë, shumë prej tyre janë rritur me letërsinë dhe muzikën ruse, kanë mësuar gjuhën ruse dhe kujtojnë me ngrohtësi kohën e asaj miqësie. Siç e thashë, brezi i ri shfaq një interes në rritje për t’u arsimuar në Rusi. E rëndësishme, siç u shpreh Presidenti Putin, është të merremi vesh në mënyrë të ndershme dhe me respekt të ndërsjellë. Jam i sigurt se kështu do të jetë”.

Sa i takon dëbimit të diplomatëve rusë nga Tirana, Karpushin u shpreh se ishte një vendim i marrë nën presionin e jashtëm, për të demonstruar të ashtuquajturin “solidaritet transatlantik”, pas helmimit të ish-agjentit rus, Sergej Skripal dhe vajzës së tij në Londër. “Sot, niveli i raporteve tona ka arritur pikën më të ulët që nga momenti i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në fillim të viteve ‘90. Kuptohet që janë të nevojshme përpjekje dhe hapa seriozë për normalizimin e tyre. Ne gati jemi, por, të jem i sinqertë, lidershipi shqiptar sillet në mënyrë paradoksale: nga njëra anë deklaron për nevojën e zhvillimit të bashkëpunimit në fushën e turizmit, shpreh interes për rritjen e fluksit të turistëve rusë, por nga ana tjetër e demonizon Rusinë, shpif kundër saj duke përdorur argumente nga më absurdet për qëllime të brendshme politike dhe për të ruajtur reputacionin e vet në sytë e partnerëve perëndimorë, sipas logjikës së solidaritetit euroatlantik”.

Shkarkoni aplikacionin e A2