Takimi Rama – Putin, Karpushin: I domosdoshëm, por ja pse është i pamundur tani

Kryeministri Edi Rama është shprehur në një rast i gatshëm të takohet me Presidentin rus Putin. Edhe pse nuk ka ende asnjë kërkesë zyrtare për këtë, Karpushin mendon se takimi duhet të realizohet. “Për mendimin tim, është i mundur dhe i domosdoshëm. Por, organizimi i tij kërkon një agjendë të përshtatshme”, tha Karpushin në A2 CNN, në “I Ftuari” me Endri Xhafon.

Një arsye e mirë për t’u takuar, sipas Karpushin, mund të jetë Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve, i përgatitur që në vitin 1995. “Varianti i dytë u siglua në vitin 2004 në Tiranë nga ministrat e jashtëm të dy vendeve. Megjithatë, Traktati nuk u nënshkrua kurrë. Drejtuesit e Shqipërisë e kuptojnë domosdoshmërinë e një dokumenti të tillë dypalësh. Tre vite më parë, gjatë takimit tim me Kryeministrin Rama, ai ra dakord të krijonte një grup pune për të finalizuar draftin, por kjo nuk u bë kurrë. Pala shqiptare, siç duket, nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik. Pra, duke iu kthyer pyetjes tuaj, duhet të them që, me gjendjen aktuale të marrëdhënieve tona dypalëshe, një takim i tillë me Presidentin e Rusisë vështirë se do të jetë i mundur”, shtoi Karpushin.

Shkarkoni aplikacionin e A2