Tension e përleshje në protestë, Basha: S’ka zgjedhje me Ramën

Përplasje, tension, lëndë tymuese, përpjekje për të çarë kordonin e policisë, këto ishin momentet që u vunë re sot në protestën e organizuar nga opozita në sheshin përpara godinës së Parlamentit. Për rreth dy orë e gjysmë, që nga ora 9:30, qytetarët së bashku me drejtues e përfaqësues të partive opozitare qëndruan në protestën e radhës, me apelin kryesor atë të largimit të Kryeministrit Rama.

Uniformat blu kishin rrethuar godinën e Parlamentit, ndërsa nga ana e tyre protestuesit disa herë u përpoqën për të çarë kordonin e policëve, duke u konfrontuar mes tyre. Ndërsa nuk munguan dhe tymuesit e shashkat nga ana e protestuesve, policia ndoqi të njëjtën praktikë si në protestën e kaluar duke mos përdorur as gaz lotsjellës e as ujë ndaj qytetarëve të mbledhur në këtë tubim.

Tensionet e para u shënuan në pedonalen pranë Ministrisë së Brendshme, e cila ishte bllokuar ana e policisë, por banorët e Unazës së Re tentuan të kalojnë përmes kësaj rrugë për t’iu bashkuar pjesës tjetër të protestuesve përpara parlamentit.

Më pas të gjithë protestuesit u bashkuan në sheshin para parlamentit, ku me pankarta në duar dhe me fjalimet e përfaqësuesve opozitarë, e cilësuan parlamentin ilegjitim, të mbushur me kriminelë dhe njerëz të papërgjegjshëm që mendojnë se përfaqësojnë popullin. Ndërsa kryefjala e të gjitha fjalimeve dhe brohoritjeve të kësaj proteste ishte kërkesa për largimin e kryeministrit Rama.

“Për gjashtë vite me radhë kjo bandë kriminale vodhi dhe varfëroi shqiptarët, i gjobiti dhe ju rriti çmimet e kostos bazë të jetës. Ky është njeriu që u bë simbol i krizës ekonomike, mungesës së shpresës për çdo shqiptar. Arma e tij gjatë këtyre viteve ka qenë mashtrimi dhe propaganda e ndyrë. Njëlloj saç mund të ngjallet kufoma e Enver Hoxhës, mund të ngjallet edhe kufoma politike e Edi Ramës. E di që keni ardhur për t’i dhënë fund regjimit të Maduros së Ballkanit dhe ta përcjellim për në qeli apo azil politik”
Lulzim Basha, Kryetar i PD

“Është e vërtetë që edhe ne politikanët kemi gabimet tona, por më mirë vonë se sa kurrë. Djegia e mandateve ishte e vetmja mundësi për të treguar edhe një herë që interesi publik është edhe më i rëndësishëm se interesi i Ramës. Ishte një “mea culpa” ndaj jush motra dhe vëllezër”
Monika Kryemadhi kryetare e LSI

Pas disa tentativave për të çarë kordonin e policisë dhe në përfundim të fjalimeve të përfaqësuesve opozitarë, protestuesit nisën marshimin në drejtim të Ministrisë së Brendshme, për ta mbyllur tubimin në selinë e Demokratike, ku kryetari Lulzim Basha mbajti sërish fjalën para protestuesve.

“Orët e kësaj bande po numërohen mbrapsht me çdo protestë si kjo e sotmja”, tha Basha. “Kush nuk e ka kuptuar, le ta kuptojë: zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë. Pakt me Maduron e Ballkanit nuk do të ketë. Kjo qëndresë ka nisur për t’i kthyer qeverisjen çdo shqiptari dhe nuk do të ndalet deri sa ta bëjë realitet.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN