Brexit pa ujdi, BE me samit të jashtëzakonshëm

theresamay 1100x620

Bashkimi Europian është vendosur menjëherë në lëvizje pas rrëzimit për herë të tretë të marrëveshjes së kryeministres Theresa May për Brexit.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk njoftoi se ka thirrur një samit emergjent me 10 prill. 27 vendet e mbetura anëtare do të diskutojnë pikërisht për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrin, ndërsa skenari më i mundshëm parashikohet të jetë ai i një Brexiti pa ujdi. Një gjë e tillë u konfirmua nga Komisioni Europian, që thekson se është shumë i përgatitur për këtë.

“Skenari i një largimi pa ujdi me 12 prill ka shumë gjasa që të ndodhë. BE nisi përgatitjet për këtë që prej dhjetorit të 2017-s dhe tani jemi plotësisht gati për një skenar pa ujdi, mesnatën e 12 prillit. BE do të mbesë e bashkuar”, KE.

“Dua të jem i sinqertë, pa një zgjedhje pozitive, opsioni kryesor do të jetë largimi pa marrëveshje. Nuk ka qenë kurrë skenari yni, por BE tashmë është e përgatitur”, tha Michel Barnier, negociator i BE për Brexit.

Ndërkaq, Bashkimi Europian ka bërë me dije se benefitet e ujdisë së tërheqjes, përfshirë periudhën e tranzicionit, nuk do të jenë në fuqi në rastin e largimit jo të rregullt. Gjithashtu marrëveshjet e pjesshme nuk janë një opsion.