DASH për Shqipërinë: Korrupsioni në qeveri pengon luftën ndaj drogës

Në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve, thuhet se Shqipëria është njëkohësisht burim i kanabisit dhe gjithnjë e më shumë vend transit për kokainën dhe heroinën. Raporti që ju dorëzua të enjten kongresit amerikan, pohon se transiti i kanabisit si dhe i drogave të forta komandohet kryesisht nga elementë të krimit të organizuar që transferojnë droga të paligjshme nga vendet burim për në tregjet evropiane.

“Roli i Shqipërisë si burim apo treg për droga të paligjshme përtej kanabisit është i vogël, por ka pasur një rritje në konfiskimet e kokainës që kalon nëpër Shqipëri për në Europë, përveç zbulimit të laboratorëve të përpunimit të heroinës dhe kokainës në Shqipërinë veriore dhe qendrore. Grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet e origjinës në Amerikën e Jugut dhe Azi.”

Departamenti Amerikan i Shtetit

Në raport thuhet se korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotikëve.

“Përgjithësisht, institucionet shqiptare e kanë kapacitetin për të luftuar krimet që lidhen më drogën, por korrupsioni në çdo nivel të qeverisjes kufizon efikasitetin e tyre. Korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar”

Departamenti Amerikan i Shtetit

Departamenti i Shtetit thotë gjithashtu se gjatë vitit 2018 qeveria shqiptar nuk bëri përparim të rëndësishëm për parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare. Si shkak për këtë, raporti e ve gishtin te korrupsioni, rritja e rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucionet e dobëta ligjore dhe qeveritare.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN