Emigrantët “piratë” grabisin anijen, ndërhyjnë forcat speciale malteze

Një anije mallrash është grabitur në mes të detit Mesdhe nga një grup emigrantësh duke detyruar forcat speciale malteze që të realizojnë një operacion dramatik shpëtimi.

Anija “Elhiblu 1” shpëtoi rreth 108 emigrantë të mbetur në det pasi anija e tyre ishte mbytur gjatë përpjekjes për të arritur në Europë. Por kur kuptuan se kapiteni po i kthente në Libi, ata morën kontrollin e anijes.

Shpëtimi i stafit u bë i mundur vetëm të premten në mëngjes, pasi forcat speciale malteze arritën të hipnin në anije ndërsa po i afrohej ishullit të Lampeduzës, pasi ishin vënë në kontakt më parë me kapitenin e anijes. Ky i fundit raportohet t’u ketë thënë ushtarëve se ishin kërcënuar nga emigrantët për të vazhduar lundrimin drejt Maltës.

Pasi morën kontrollin e anijes dhe mbërritën në portin e Valetës, emigrantët u arrestuan. Kryeministri maltez Joseph Muscat tha se vendi i tij kishte realizuar një operacion të madh, pavarësisht se i vogël. Ndërsa ministri i brendshëm italian, Matteo Salvini i quajti emigrantët “piratë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2