Kryeprokurori i Apelit Durrës në “vetting”, probleme me pasuritë

Në vitin e tij të 20-të të punës si prokuror, Ferdinand Elezi, titullar i Prokurorisë së Apelit Durrës, u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

ILDKPKI kishte përcjellë një raport pozitiv për Elezin, ish-kandidat për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, por Komisioni tha se dy apartamente në Durrës ishin blerë me çmim më të ulët se tregu, ndërsa për një në Tiranë kishte mangësi në deklarimin e burimit të të ardhurave.

Sipas Komisionit, në disa periudha kohore, Elezi kishte shpenzuar para përtej mundësive të tij, ku bilanci negativ shkonte në 7 milionë lekë.

Pagesa e tatimeve për një apartament të dhënë me qira disa vite me vonesë nga Elezi ngjalli debat në seancë. Prokurori u justifikua me faktin se kishte pretenduar se tatimi ishte paguar nga qiramarrësi. KPK tha se Elezi ishte i përshtatshëm për sistemin sa i përket pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Vetë prokurori tha se do pasuri e tij ishte e justifikuar dhe e ligjshme, duke kërkuar në përfundim konfirimimin në detyrë. Jashtë sallës ai iu përgjigj negativisht pyetjes së gazetarëve, nëse do të kandidonte për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN