Ligjvënësit britanikë rrëzojnë sërish ujdinë për Brexit, opozita kërkon zgjedhje të reja

Ujdia për Brexit e kryeministres Thereza May pëson disfatë për herë të tretë në Dhomën e Komunëve, duke shtuar kështu paqartësitë për procesin e largimit nga BE.

344 ligjvënës votuan kundër, ndërsa 286 të tjerë e mbështetën atë. Kjo nënkupton që Britania e Madhe humbi mundësinë për ta shtyrë Brexitin deri me 22 maj në mënyrë që largimi të bëhej me një marrëveshje.

Me kushtet aktuale, largimi nga BE duhet të ndodhë me 12 prill. May tha në parlament se vendi do të gjejë një mënyrë alternative për të ecur përpara, por tashmë pjesëmarrja në zgjedhje europiane është thuajse e sigurt.

“Qeveria do të vazhdojë të mbështesë një Brexit të rregullt me ujdi, i cili është rezultat i kërkesave të referendumit”, tha May.

Menjëherë pas disfatës së tretë të ujdisë për Brexit, lideri i opozitës Laburiste, Jeremy Corbyn bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme.

“Parlamenti ishte shumë i qartë: kjo ujdi duhet të ndryshohet. Nëse kryeministrja nuk mund ta pranojë këtë, atëherë ajo duhet të dorëhiqet. Jo në një të ardhme të afërt, por menjëherë, në mënyrë që ne të vendosim të ardhmen e këtij vendi përmes zgjedhjeve të përgjithshme, u shpreh Jeremy Corbyn, lider i laburistëve.

Ndërkaq, përveç opozitës, janë shtuar zërat edhe brenda partisë Konservatore që kërkojnë dorëheqjen e kryeministres May. Ligjvënësi Steve Baker tha se lidershipi i saj është ezauruar tashmë.

Shkarkoni aplikacionin e A2