Ngadalësohet ekonomia, INSTAT: Rritja në 2018-ën arriti në 4.06%

Parashikimet e qeverisë për rritjen ekonomike janë rrëzuar pas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave. Motorët e ekonomisë janë ngadalësuar në fund të 2018-ës, duke bërë që rritja vjetore të jetë 4.06%, krahasuar me 4.3% që synonte Ministria e Financave.

Në këtë situatë, pritet që qeveria të rishikojë në rënie edhe parashikimin tejet optimist prej 4.5% për këtë vit. Ekonomia e vendit u ngadalësua në fund të vitit të kaluar, duke regjistruar një rritje prej 3.1% në tremujorin e katërt. Kjo shënon edhe ecurinë më të dobët të ekonomisë, që prej 2016-ës.

Energjia elektrike, që mbajti dhe peshën kryesore të rritjes gjatë muajve të mëparshëm, po zbeh gjithmonë e më tepër kontributin, ndërsa sektorët e tjerë shfaqen po ashtu në ngadalësim krahasuar me ritmin e ndjekur më herët.

Për vitin 2018, qeveria kishte parashikuar një normë rritjeje prej 4.3%, ndërsa duket se janë përmbushur pritshmëritë më konservatore të FMN dhe Bankës Botërore, për një rritje prej 4%. Në 2019, Ministria e Financave kishte dhënë një parashikim prej 4.5%, që duket se do të rrëzohet, duke rënë në nivelin e institucioneve financiare ndërkombëtare, me 3.6 deri në 3.7%.

Për vitin aktual, pritet që energjia, por edhe kriza e brendshme politike dhe situata e partnerëve tregtarë, të pengojnë zhvillimin ekonomik, që do të mbështetet thuajse tërësisht tek turizmi.