Shqipëria 10 vjet në NATO, Rama: Besoni te ne edhe për në BE

Me rastin e ceremonisë se përvjetorit të 10 të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri Rama, në fjalën e tij falënderoi vendet aleate për miratimin e futjes së vendit tonë në Aleancën Atlantiko-Veriore.

“Gjej rastin të falënderoj aleatët më të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm, SHBA dhe partnerët tanë europianë, që 10 vjet më parë vendosën të besojnë tek aftësia e Shqipërisë për të qenë aleat i përgjegjshëm dhe kontributor i çmuar”, tha Rama. “Dua sot t’u them partnerëve tanë se ne jemi dhe do të mbetemi të vendosur e të përkushtuar e për t’ju përgjigjur siç duhet, ku duhet dhe kur duhet çdo thirrjeje të aleancës euro atlantike. Këto vite janë dëshmia më e mirë se përse edhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të vazhdojë me të njëjtën aftësi për të besuar te Shqipëria që patën aleatët kur miratuan anëtarësimin tonë në NATO”.

Nga Sheshi “Nënë Tereza”, Kryeministri kujtoi një shprehje të bamirëses me origjinë shqiptare për të përshkruar kontributin e vendit tonë në aleancë “Besoj se në një dekadë si pjesë përbërëse e NATO-s, Shqipëria ka qenë mishërimi i shprehjes legjendare të Nënë Terezës, “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili prej nesh mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri dhe përkushtim të madh”. Këtë Shqipëria e ka bërë dhe do ta bëjë brenda kësaj aleance, sepse të parët tanë na kanë lënë një amanet, “Dielli i shqiptarëve lind gjithmonë nga Perëndimi”, dhe kjo aleancë është mundësia më e drejtpërdrejtë për ta shëmbëllyer amanetin e tyre”, mbylli fjalën e tij Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN