Trump akuzon mbështetësit e hetimit për Rusinë: Tentuan pushtetin ilegalisht

Mbështetësit e hetimit për bashkëpunimin me Rusinë u përpoqën të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve të 2016-s dhe të merrnin pushtetin ilegalisht.

Akuza vjen nga presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë tubimit të parë që prej përfundimit të investigimit të prokurorit special Robert Mueller. Duke e shpallur vendin të lënduar nga hetimi, kreu i Shtëpisë së Bardhë i cilëson kundërshtarët e tij humbës.

“Pas 3 vitesh me gënjeshtra, mashtrim dhe akuza false, mashtrimi Rus më në fund ka vdekur. Shpifjet për bashkëpunimin me Rusinë morën fund”, tha Trump.

Trump, gjatë tubimit në Miçigan, iu rikthye sulmeve ndaj mediave dhe Demokratëve duke vënë në dyshim besueshmërinë e tyre. “Ata janë persona të sëmurë dhe duhet të ketë përgjegjësi pasi janë të gjitha gënjeshtra dhe ata e dinë këtë”.

Raporti i publikuar nga Mueller nuk gjeti ndonjë provë që vërtetonte bashkëpunimin mes ekipit të fushatës së Trump dhe Rusisë, por nuk e përjashtoi atë nga akuza e pengimit të drejtësisë. Ish-drejtori i FBI, Robert Mueller drejtoi hetimet për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Ekipi i tij ngriti akuza ndaj 34 personave, përfshirë 6 ndihmës të Trump dhe disa shtetasve rusë si dhe ndaj 3kompanive.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN