Zbulohet foto e vrasësit të Jurgen Kurtit

A2 CNN ka siguruar foton e vrasësit të Jurgen Kurtit, të ekzekutuar në derën e shtëpisë mbrëmjen e 18 marsit.

Klodjan Bane (në foto) është shpallur në kërkim prej disa ditësh, i dyshuar si personi që qëlloi për vdekje mbi 26-vjeçarin Jurgen Kurti. Pas analizimit të kamerave të sigurisë hetuesit arritën të rindërtojnë dhe mekanizmin e vrasjes.

Mësohet se mbrëmjen e 18 marsit Elsi Levendi kishte studiuar lëvizjet e Kurtit madje ishte ulur në një nga kafenetë e zonës në rrugën “Zef Jubani”. Sapo i riu kishte dalë nga palestra e cila ndodhet pranë shtëpisë së tij Levendi lajmëroi bashkëpunëtorët të cilët e prisnin në hyrje të pallatit Bjorn ku jetonte Kurti.

Klodjan Bane, vrasësi i dyshuar i Jurgen Kurtit

Pas ekzekutimit të të riut grupi prej tre personash i cili lëvizte me mjetin tip Mercedes me targa të huaja u largua në drejtim të Postës numër 8, ndërsa Levendi lëvizi me taksi. Nga këqyrja e filmimeve të disa kamerave të sigurisë vrasësit kishin ndaluar në afërsi të pallatit me shigjeta ku ishin takuar aty ku dhe dyshohet se i kanë ndërruar targat mjetit.

Për sa i përket motivit të krimit hetuesit pritet të bëjnë të mundur dhe zhbllokimin e telefonave të kushtueshëm të vrasësve. Sipas të dhënave të policisë bëhet fjalë për 5 celularë të cilët përdorin dy sisteme operative dhe që kushtojnë 1600 euro secili. Në faqen zyrtare të ENCROCHAT specifikohen dhe të dhënat e celularëve të cilët janë të pagjurmueshëm dhe mesazhet zanore apo tekst vetëshkatërrohen. Deri më tani të rinjtë nuk kanë pranuar të flasin mbi motivet e vrasjes ndërsa policia nuk ka përjashtuar dhe ndonjë konflikt të mundshëm mes tyre dhe Jurgen Kurtit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN