“Këtë herë kanë kaluar çdo kufi”, Rammstein nën akuzë për promovimin e kampeve naziste

Një videoklip i ri i grupit muzikor gjerman “Rammstein” ka shokuar politikanë por edhe grupimet e komunitetit hebre në vend pasi përmban pamje të kampeve të vdekjes ngritur nga nazistët.

Videklipi i këngës së tyre më të re “Deutschland” promovon albumin e ri të grupit, me të njëjtin emër. Video e publikuar në datën 28 mars ka arritur deri më tani 15 milionë shikime në YouTube.

“Me këtë video kanë kaluar çdo kufi”, tha Charlotte Knobloch, një e mbijetuar e Holokaustit dhe ish-presidente e Këshillit të Hebrenjve në Gjermani, për gazetën “Bild”. Kështu e mendon edhe komisioneri i qeverisë për anti-semitizmin në vend, Felix Klein, edhe pse grupi i muzikës rrok njihet për tekstet dhe videot kontroverse që publikon. “Mendoj se është në shfrytëzim pa shije i lirisë së shprehjes përmes artit”, tha ai.

Nuk është hera e parë që Rammstein realizojnë një video ku shfaqjen ngjarje të ndodhura në kohën e Nazizmit. Në vitin 1998, ata përdorën pamje nga propaganda naziste për videon e këngës së tyre “Stripped”.

Deri tani, asnjë prej pjesëtarëve të grupit apo përfaqësues të tyre nuk kanë komentuar.