Messi gol rekord, por Xavi mbetet larg

Lionel Messi shënoi një gol rekord kundër Espanyol duke siguruar një tjetër fitore në derbin e qytetit për Barcelonën, por skuadra blaugrana duhet të falenderojë edhe kundërshtarët për tri pikët e marra këtë të shtunë.

Në një ndeshje të fortë ku Barcelona e kishte të vështirë të dominonte, Sanchez zhbllokoi rezultatin duke devijuar gabimisht topin në portën e tij, ndërsa deri në atë moment portieri i Espanyol Diego Lopez kishte shkëlqyer. Në fund ishte Messi që shënoi golin e sigurisë me një goditje dënimi. Ishte goli i gjashtë që argjentinasi shënon ndaj rivalëve të qytetit me goditje dënimi, më shumë se sa i ka shënuar çdo skuadre tjetër.

Ishte një ndeshje e shënuar për numrin 10, pasi arriti në kuotën e 675 paraqitjeve me fanellën “blaugrana”, duke kaluar Andres Iniestan në renditjen e lojtarëve me më shumë takime. Megjithatë, Xavi Hernandez mbetet ende larg, pasi ish-kapiteni i skuadrës numëron 92 ndeshje më tepër se Messi.

Të martën Barcelona ka një udhëtim të vështirë në fushën e Villarreal, ndërsa në fundjavë pret Atletico-n në shtëpi, ku shpreson që në fund të ketë siguruar edhe më tepër titullin kampion me sfidat e Champions League në horizont.

Shkarkoni aplikacionin e A2