Tsipras paralajmëron Shqipërinë për anëtarësimin në BE – A2

Tsipras paralajmëron Shqipërinë për anëtarësimin në BE

Kryeministri grek Alexis Tsipras, paralajmëron qeverinë shqiptare se mund të vendosë veton për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Sipas tij, shkak është një vendim i Këshillit të Ministrave për konfiskimin e disa pronave të minoritetit grek në Himarë.

“Sot mësova që ka pasur një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek. Nëse është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ. Një çështje që fatkeqësisht neve nuk na jep optimizëm drejt perspektivës europiane. Nëse informacioni që kemi është i vlefshëm, nuk ekzistojnë parakushte për të ecur në këtë drejtim”, mësohet të ketë thënë Tsipras.

Ndërkaq, “Al Jazeera” ka shkuar në Himarë për të takuar një minoritare, e cila i shprehet gazetarit se disponon dokumente, sipas të cilave zotëron një pronë që Banka Gjermane ia ka vlerësuar në 1,5 miliardë dollarë. Televizioni prestigjioz ka intervistuar edhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili akuzon qeverinë se ua ka dhënë pronat oligarkëve. Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla thotë se qeveria ka ndërmarrë një reformë për titujt e pronësisë. Çështja e pronave në Himarë, prej vitesh ka trazuar politikën e Shqipërisë dhe asaj të Greqisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2